Elseid Hysaj dhe Inter mund të jetë një binom që të zyrtarizohet shumë shpejt. E gjitha kjo vërehet nga vetë interesimi i zikaltërve, që pak kohë më parë nisën edhe kontaktet zyrtare me skuadrën e Napolit. Mirëpo, duket se skuadra nën drejtimin e Kontes do të tentojë që të sigurojë shërbimet e mbrojtësit të cilin e ka ndjekur edhe në vendin tonë.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se i pranishëm dhe në “Elbasan Arena” ka qenë një nga skautët kryesorë të Interit, i cili ka qenë me detyrën e posaçme për të “spiunuar” paraqitjen e shkodranit në skemën 3-5-2. Ky është një nga modulet e preferuara të Kontes dhe me gjasë, të dhënat e 90-minutëshit që ka bërë shkodrani nën këtë tip loje, i janë raportuar menjëherë trajnerit të skuadrës zikaltër.

Ndërkohë, në deklaratën e dhënë për “RTSH” pas ndeshjes, shkodrani ka komentuar paraqitjen e tij në këtë modul të ri, lojën e Shqipërisë dhe të ardhmen e tij. “Jam duke ia marrë dorën skemës 3-5-2. Jam shumë i lumtur për lojën që po bëjmë dhe për fitoren. Kur është Mërgimi në fushë, me të drejtë duhet ta ketë ai shiritin. Kur të më vijë radha mua, do e mbaj unë. Po punojmë për sulmin dhe unë gjithashtu duhet të mundohem të sulmoj. Shpresoj që të arrij të shënoj një gol me Kombëtaren. E pres shumë dhe shpresoj ta gjej, sepse gjithmonë mundohem të jap 100% për Kombëtaren.

Rasti? Mendova se isha në pozicion të parregullt. Duhet të mësohem akoma me rolin që të jem afër portës. Po e ndiej shumë që do vijë momenti i golit. Duhet të punoj vetë që të arrij pjesën e golit”, u shpreh Hysaj. Ndërkohë, i pyetur në “SuperSport” për të ardhmen, ai dribloi: “Ekipi im i ardhshëm janë pushimet. Do pushoj, më pas duke qenë se jam në kontratë me Napolin, do flasim dhe do vendosim çfarë do të bëjmë”, tha Hysaj.

/PANORAMASPORT.AL