Policia njofton se pas arrestimit të 27-vjeçarit, Astrit Thaçi dhe të dashurës së tij është arrestuar edhe një 26-vjeçar me iniciale F. S, 26 vjeç, pasi ka blerë 4 byzylykë floriri nga i riu, të cilat ishin grabitur në argjendarinë në Elbasan.

NJOFTIMI

Në vijim të operacionit “Trajektorja” nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, si dhe prangosja e bashkëpunëtores së tij në këto vjedhje, ka vijuar puna për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve.

Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan shtetasin: F. S., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka blerë 4 byzylykë floriri nga shtetasi A. Th., të cilët i kishte vjedhur.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Një ditë më parë në Policia e Durrësit arrestoi 20-vjeçaren me iniciale A.B, pasi akuzohet se ka ndihmuar grabitësin Astrit Thaçi, që të mos kapej nga Policia. Mësohet se 20-vjeçarja është e dashura e Astrit Thaçit.

Astrit Thaçi u arrestua nga Policia më 15 shkurt. Ai u arrestua disa orë pasi grabiti një argjendari në qytetin e Elbasanit. Sipas Policisë Astrit Thaçi është një grabitës serial dhe ndaj tij rëndojnë të paktën 8 raste grabitjesh. Po ashtu 27-vjeçari rezulton i dënuar edhe në Itali me 7 vite heqje lirie, pasi edhe në këtë shtet ka kryer grabitje.