Ekstradohet nga Vjena një 43-vjeçar i dënuar me burgim të përjetshëm.

Burime nga policia bëjnë me dije se nga specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Viena, Austri drejt vendit tonë i Viktor Pelivani, 43 vjeç, lindur në Fier.

43-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë në maj të vitit 2018 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, kryer në bashkëpunim.

Më datë 07.08.1999, rreth orës 23:00 Viktor Pelivani në bashkëpunim me F. K. dhe J. B. ka hyrë për të vjedhur lekë në shtëpinë e B. Driza, duke vrarë këtë të fundit dhe bashkëshorten e tij N. Driza.

Policia sqaron më tej se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Viena u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit Viktor Pelivani.