Djali i një biznesmeni në Korçë është dënuar me dy vite e 4 muaj heqje lirie, për veprat penale të ngacmimit seksual dhe vjedhjes.

Mësohet se 29 vjeçari G. V. ka marrë një vajzë të panjohur në makinë, e ka ngacmuar dhe në fund i ka marrë edhe telefonin.

Për këtë ka reaguar edhe avokati i 29 vjeçarit, i cili ka treguar variantin e tij të historisë dhe ka deklaruar se shtetasi G.V, ka një anije peshkimi në qytetin e Durrësit, ndërsa familja e tij ka një biznes që merret me tregtimin e gomave.

‘Duke qenë se në automjet i ka hipur një femër, të cilën ky as njihte, kanë bërë muhabet dhe ka filluar ta komplimentojë, me pas ai e ka prekur, gjithkush do kryente të njëjtat veprime, por duke qenë se këto veprime janë të dënueshme dhe se shtetesja X.X. i ka thënë që te mos vazhdojë, i kërkojmë gjykatës të të deklarohet fajtor. Kurse për sa i përket veprës të vjedhjes, akuze e cila është ngritur nga ana e prokurorisë ajo nuk rezulton të provohet dhe i kërkoj gjykatës që ta deklarojë të pafajshëm, pasi i mbrojturi prej meje nuk ka patur asnjë qëllim dhe as arsye për ta vjedhur, pasi ai rezulton që të ketë një anije peshkimi në qytetin e Durrësit, familja e tij ka një biznes që merret me biznesin e gomave dhe familja e këtij shtetasi është grabitur tre muaj me pas, ai e ka dorëzuar celularin. Pranë ambienteve të policisë ka shkuar pasi e kanë thirrur dhe ka dhënë deklarime, ç’ka tregon një sjellje korrekte të tij në raport me ligjin dhe institucionet, rezulton që të ketë treguar versionin e tij në lidhje me veprimet e tij si edhe gjatë qëndrimit me masë sigurimi personal arrest ne burg të mos ketë patur probleme as me të bur gosurit, por as me administratën’, është shprehur avokati.

Ndërkohë Gjykata e Korçës vendosi në përputhje me kërkesën e prokurorisë. Mbrojtja kërkoi pafajësi për akuzën e vjedhjes ndërsa pranoi fajësinë për akuzën tjetër, atë të ngacmimit seksual.

‘Sa për vje dhjen, nuk kam nevojë për të vje dhur. Unë kur u ktheva në shtëpi e pashë që ishte telefoni në makinë’, u shpreh i riu.

Ngjarja e plotë:

Shtetasja X.X., banore e qytetit të Maliqit, është e punësuar në një biznes, ndodhur në lagjen nr.4 të qytetit të Korçës. Në datë 9 Shkurt 2019, rreth orës 06:00, ajo ka dalë nga banesa dhe është drejtuar për tek stacioni i autobuzave në qytetin e Maliqit, me qëllim vajtjen në punë. Tek vendi i quajtur ‘Ura e Qesaratit’, asaj i ka ndaluar një mjet afër këmbëve, të cilin e drejtonte një djalë i moshës së re që ajo nuk e njihte deri në ato momente.

Ky shtetas, që më pas rezultoi se ishte 29-vjeçari e ka pyetur se ku do shkonte. Ajo i është përgjigjur se do shkonte tek stacioni i autobuzave. 29-vjeçari e ka ftuar të hipte në mjetin e tij se do e çonte ai tek stacioni. Pasi kanë mbërritur tek stacioni, nisur nga fakti që edhe G.V. ishte duke shkuar për në Korçë, shtetasja X.X. ka pranuar që të udhëtonte me mjetin e G.V. për në Korçë.

Këtij të fundit i ka thënë se donte të shkonte në lagjen nr.4 të qytetit, pasi atje kishte punën. Gjatë rrugës, rezulton e provuar se 29-vjeçari i është drejtuar me fjalët ‘Lum ai që do të ketë, je shumë e bukur, je shumë e mirë’. Duke parë që G.V. ishte duke e ngacmuar, vajza nuk i ka dhënë shumë muhabet.

Pasi kanë mbërritur në afërsi të vendit të quajtur ‘Birra’ në qytetin e Korçës, vajza i ka kërkuar 29-vjeçarit që të mbante mjetin pasi ajo do zbriste, por ai nuk ka qëndruar dhe ka vazhduar të drejtonte mjetin tek rruga ku kthehesh tek lokal ‘Calma’, në krahun e kundërt me punën kallëzueses.Gjatë kësaj kohe, ai i ka shprehur simpatinë e tij dhe gjithashtu ka filluar ta prekte nga këmbët. Në një moment, kur mjeti kishte shpejtësi relativisht të ulët, vajza ka hapur derën e mjetit dhe është hedhur nga mjeti në lëvizje. Nga ekspertiza, rezultoi që vajza pësoi dëmtime nga rënia, që shkaktojnë paaftësi për punë në masën deri në 9 ditë.

Kur është hedhur nga mjeti, ajo ka patur celularin në njërën dorë dhe çantën në dorën tjetër. Sapo ka rënë në rrugë, ajo ka filluar të thërrasë dhe G.V. ka dalë nga mjeti dhe ka shkuar dhe e ka zënë nga faqet për ta qetësuar. Ai gjithashtu i ka marrë dhe telefonin, një ‘Samsung J7’, me ngjyrë ‘Gold’ dhe ka hipur në makinë. Edhe pse vajza i ka kërkuar t’i kthente telefonin, G.H. nuk ka pranuar dhe është larguar me mjetin e tij.

Pas largimit, tek vajza është afruar një grua e cila ka qenë duke bërë ecje në afërsi të vendit ku vajza u hodh nga mjeti. Gruaja e ka pyetur vajzën se çfarë i kishte ndodhur dhe nëse kishte nevojë për ndihmë.

Pasi është ngritur, ku nga hedhja prej makinës u dëmtua në kokë, vajza shkuar punë ku ka punuar deri në orën 12:30, orë në të cilën ka folur me eproren, të cilës i ka kërkuar lejë për t’u larguar nga puna. Pas largimit nga puna, ajo ka shkuar tek stacioni i autobuzave të Maliqit, nga ku ka shkuar më pas tek ambulanca e këtij qyteti. Atje i kanë mjekuar plagën, për të cilën vajza ka deklaruar se ishte dëmtuar kur kishte rënë.

Gjatë asaj nate, kallëzuesja ka qenë me shqetësime të shëndetit dhe në mëngjes, duke parë që nuk po i kthehej telefoni, ka shkuar në Komisariatin e Policisë Maliq, ku ka treguar sa më lart. Ajo ka deklaruar shprehet se nuk dëshironte ndjekje penale pasi nuk donte që të merrej vesh si histori, por donte kthimin e telefonit.