Policia e Tiranës ka shoqëruar gjatë mesnatës së djeshmes gazetarin e Fax News, Bekim Bici, i cili kishte shkuar në ambientet e Ministrisë së Brendshme për të ndjekur nga afër çështjen shtetasit turk Selami Simesk, i akuzuar për kalim të paligjshëm të kufirit, por i liruar nga Gjykata e Apelit Tiranë.

Mësohet se gazetari kishte kërkuar të intervistonte Simsek, por nuk është lejuar nga ana e policisë.

Sipas kryeredaktores së këtij televizioni, Nertila Spiri, Simsek ka qendruar në një furgon mbi 10 orë, ndërsa po merrej vendimi mbi ekstradimin. Ky i fundit kërkonte të fliste për mediet, por gazetarin Bicin e kanë ndaluar ta intervistonte.

Ndërkohë në orën 00:00 ka mbërritur në Ministrinë e Brendshme edhe ministri Sandër Lleshaj dhe e gjithë kjo çështje është kërkuar që të mbahet në fshehtësi të plotë.

Ndërsa ennde nuk ka një informacion rreth Simsek, pasi ai është larguar rreth orës 01:30 të mëngjesit nga ambientet e Ministrisë dhe ende nuk është zbardhur, nëse ai është deportuar drejt Turqisë apo jo.

Kujtojmë që babai i Simsek ka deklaruar se i biri ka kërkuar azil në Shqipëri pasi në Turqi i rrezikohet jeta. Ai pohoi se i biri është marrë në pyetje nga Drejtoria e Migracionit, por Policia nuk po e lejon të shkojë në kamp se do ta ekstradojë në Turqi.