Pas çlirimit të portit të ri të peshkimit nga skafet dhe jahtet luksoze, peshkarexhat kanë nisur zhvendosjen drejt tij duke i dhënë fund një periudhe të gjatë pasigurie dhe incidentesh.

Ishte një vendim i kryeministrit që u zbatua rrufeshëm javën e kaluar duke liruar portin e zaptuar prej më shumë se dy vitesh nga mjetet lundruese luksoze të të pasurve të Durrësit e Tiranës me miratimin e heshtur të autoriteteve vendore.

“Kemi luftuar prej vitesh për të realizuar një reformë në peshkimin detar, mes të cilave furnizimin me naftë pa taksa. Materialet e peshkimit pa TVSH dhe kjo është në rrugë e sipër. Kemi qenë në kushte skandaloze që kanë krijuar aksidente nga përplasja me tragetet dhe anijet e peshkimit mes tyre. Ky port i plotëson kushtet tona dhe me një projekt do të rregullohen dhe disa probleme që janë bërë gjatë ndërtimit të tij”, tha Besim Troplini, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit.

Ky port parashikon edhe një merkatë peshku të freskët, si dhe një kantier për riparimin e anijeve, që aktualisht riparohen me kosto të lartë në portet e vendeve fqinje.

“Merkato e peshkut e formalizon sektorin. Kantieri për riparimin e anijeve është një tjetër problematikë e peshkimit, realizimi i të cilit pranë portit ku dhe është parashikuar do të mbyllte problemet e sektorit tonë”, tha Troplini.

Ndërtimi i këtij porti peshkimi pranë portit të Durrësit dhe në vazhdim të shëtitores bregdetare u kthye në objekt kundërshtimesh të forta mes bashkisë së Durrësit dhe Qeverisë së drejtuar nga e djathta në vitin 2012, pasi kryebashkiaku Vangjush Dako kërkonte që kjo hapësirë të shfrytëzohej për ndërtimin e një porti jahtesh turistike dhe zhvendosjen e portit të peshkimit në periferi të qytetit.