Ministri i jashtëm i Koresë së Veriut deklaroi se Donald Trump ka ndezur fitilin e luftës ndaj Penianit. Për ministrin Ri, fjalimi i presidentit amerikan përpara Kombeve të Bashkuara në shtator ishte pika e kthesës në situatën mes dy vendeve.

Për kreun e diplomacisë koreano-veriore nuk ka vend për dialog mes palëve, teksa ai paralajmëroi se Uashingtoni duhet të tregojë kujdes në veprimet ndaj Penianit. Donald Trump ka “ndezur fitilin e luftës” kundër Koresë së Veriut. Kështu është shprehur ministri i jashtëm koreano-verior Ri Yong-ho, sipas agjensisë shtetërore të lajmeve në Rusi. Deklarata vjen pas javësh tensionesh të përshkallëzuara mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, të nxitura nga testet e përsëritura bërthamore të Penianit dhe retorikës së ashpër të presidentit Donald Trump. Në një prononcim për agjensinë ruse TASS, ministri Ri citoi fjalimin e Trump përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork si pikën e kthesës. Ri, i cili e quajti Trump “të çmendur” shtoi për agjensinë ruse se Koreja e Veriut po fiton dhe përfaqëson një kundërpeshë të denjë për Shtetet e Bashkuara. Duke i bërë jehonë paralajmërimeve të liderit koreano-verior Kim Jong-un, Ri u shpreh se Uashingtoni duhet të veprojë me takt dhe të mos prekë Penianin nëse nuk dëshiron të turpërohet përpara botës. I pyetur nga agjensia ruse për mundësinë e dialogut mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, ministri Ri u shpreh se situata aktuale mes vendeve nuk paraqet atmosferën e duhur për negociata. Këto komente më të fundit të ministrit të jashtëm koreano-verior me gjasa do të nxisin një tjetër luftë verbale mes Trump dhe Kim.

Oranews.tv

Read 5 times
Published in Bota





Shperndaje Lajmin

Kush eshte online

We have 35 guests and no members online

SHKARKONI APLIKACIONIN MOBILE