Autoriteti iranian i porteve theksoi sot se kishte kontaktuar me homologun britanik në kuadër të përpjekjeve për të siguruar lirimin e një anijeje iraniane me nafte “Grace 1”, ndaluar për kontroll në brigjet e Gjibraltarit në fillim të muajit korrik.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve “Irna”, zëvendësshefi i Autoritetit portual, Jalil Eslami konfirmoi se Britania e Madhe ishte shprehur e gatshme për të zgjidhur problemin dhe se dokumentet ishin shkëmbyer.

Këto deklarata u bënë ndërkohë që një gjykatë e Gjibraltarit, territor britanik që ndodhet në jugun e largët të Spanjës, do të shprehet të enjten për një zgjatje të mundshme të bllokimit të “Grace 1”.

Më 4 korrik, britanikët ndaluan për kontroll anijen duke e akuzuar për kontrabandë nafte drejt Sirisë si dhe shkelje të sanksioneve ndërkombëtare kundër regjimit të Bachar al-Assad.

Irani e cilësoi si një akt piraterie.

“Irani dhe autoriteti i tij portual kanë bërë përpjekje për lirimin e kësaj anijeje”, theksoi Eslami cituar nga “Irna”.

“Shpresoj që ky problem të zgjidhet shumë shpejt dhe që anija të fillojë sa më shpejt lëvizjen me flamurin e Republikës islamike të Iranit”, shtoi ai

Marrëdhëniet mes Teheranit dhe Londrës janë përkeqësuar për shkak të sekuestrimit të anijes së naftës.

Pësëmbëdhjetë ditë pas ndalimit të “Grace 1”, Irani sekuestroi “Stena Impero”, një anije suedeze nafte me flamurin britanik duke e akuzuar për mosrespektim të kodit detar ndërkombëtar. Londra e cilësoi këtë si veprim të paligjshëm.