Ish-prokurori, Agron Matjani është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren. Rasti po cilësohet si vdekje e dyshimtë.

Rastin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj. “Ne e kemi një rast të vdekjes së dyshimtë që jemi duke e trajtuar në Prizren. Rasti është raportuar nga familjarët e tij. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar që ka dalë në vendin e ngjarjes, pas kësaj kanë dal hetimet rajonale. Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka deklaruar Osmanollaj.

Matjani ishte duke u gjykuar nën akuzat e prokurorisë se në disa raste penale, në cilësinë e personit zyrtar- prokuror, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, dhe në këtë mënyrë për kryesit e veprave penale ka siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/