Jo vetëm qytetarët por edhe turistët e kanë pritur mirë projektin “Qyteti im”. Ata jo vëtëm që janë orientuar në mënyrë të rregullt por nëpërmjet këtyre “Ishujsh informacioni” kanë njohur më tepër bukuritë e Elbasanit.

“Qyteti im” është projekti më i fundit që po zbatohet nga Bashkia e Elbasanit, i cili synon t’u vijë në ndihmë qytetarëve, bizneseve dhe turistëve në kohë reale.

“Qyteti im” është një projekt i cili funksionon përmes infopoint-eve dixhitale, përmes të cilave qytetarët apo turistët mund të kërkojnë shërbime të fushave të ndryshme.

Ky sistem kursen kohë duke krijuar një platformë të përbashkët dhe një situatë të favorshme për përdoruesit dhe ofruesit. Infopoint-et janë të vendosura në tre pikat kyçe të qytetit, një në qendër të sheshit “Aqif Pasha”, një tek teatri “Skampa” dhe tjetra në hyrje të kalasë.

Infopoint-et multimediale më së shumti u shërbejnë turistëve të cilët e quajnë ndryshe këtë sistem si “ishujt e informacionit”, pasi ato i ndihmojnë për të gjetur rrugën e tyre turistike dhe për t’u informuar për ngjarje, lajme, motin etj.

Në të njëjtën kohë këto pajisje shërbejnë për të promovuar turizmin, vlerat e qytetit dhe për reklamim. Secili infopoint përmban me qindra faqe informacioni, skeda turistike, lidhje reale me geo-lokalizim mundësuar nga google maps, informacione eventesh, informacione rreth hoteleve, gastronomisë, muzeumeve, pikave turistike me vlerë për tu vizituar si dhe informacion publicitar.

Edlira XHERRI