Të gjithë ata shtetas që plotësojnë kriteret e paracaktuara në bazë të ligjit “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, iu lind e drejta e përfitimit të pensionit familjar.

ISSH sqaron sot për të interesuarit, kushtet që duhet të përmbushin për të marrë këtë lloj pagese, dokumentacionin që duhet të dorëzojnë si dhe mënyrën e përllogaritjes së masës së përfitimit. Përkatësisht, pensionin familjar mund ta përfitojnë të gjithë jetimët që ishin në ngarkim të personit që vdiq dhe janë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, të cilët studiojnë apo janë të paaftë për punë.

Lidhur me këtë qytetarët shprehen se nuk janë shumë të informuar rreth pensionit familjarë por nuk mungojnë edhe ata që sqarojnë të gjitha procedurat si bëhesh përfituesi i tij. Ndërkohë që qytetarët nuk lënë pa shtuar ndër të tjera edhe faktin se ky pension familjar nuk mjafton për të mbyllur të gjitha shpenzimet e një familje shqiptare.

Gjithashtu, Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se në momentin që i/e veja martohen sërish, e humbasin të drejtën e përfitimit të pensionit familjar. Ndërsa në të gjitha ato raste kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50% e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri. Ligji përcakton edhe mosha kur përfitohet pensioni familjar nga i/e veja.

Pension familjar mund të përfitojë e veja që është mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç; që nuk është e aftë të punojë dhe që ka mbushur moshën 55 vjeç.

Gjithashtu, nga kjo kategori pensioni përfiton edhe burri i ve, kur është mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, që është i paaftë për punë dhe që ka mbushur moshën 60 vjeç. Të gjithë ata jetimë që ishin në ngarkim të personit që vdiq dhe janë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, të cilët studiojnë apo janë të paaftë për punë mund të përfitojnë pension familjar.

Edlira XHERRI