/ATSH/ “Dialogu politik është jetik për një progres të suksesshëm, por edhe për procesin e integrimit në BE”, deklaroi sot kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, ambasadori Luigi Soreca në fjalën e tij në Konferencën e 16 të komisioneve parlamentare për integrimin europian të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asoocimit të Europës Juglindore.

“Ky takim sot vjen në fund të një jave të ngjeshur në procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Të martën, presidentja Von der Leyen njoftoi se Komisioni së shpejti do të paraqesë propozimet e tij për një metodologji të përmirësuar për procesin e zgjerimit. Të mërkurën, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Borrell diskutoi me presidentët e Serbisë dhe Kosovës. Ndërkohë, komisioneri Várhelyi udhëtoi të mërkurën në Maqedoninë e Veriut për vizitën e tij të parë zyrtare, përpara se të vazhdonte dje në Shqipëri. Për më tepër, duhet të përmend që Presidenti i Parlamentit Europian pritet gjithashtu të bëjë një vizitë në rajon në javët e ardhshme”, tha Soreca.

Është e qartë, u shpreh ai, “se rajoni dhe procesi i zgjerimit janë në krye të agjendës së Bashkimit Europian. Komisioni i ri e ka bërë shumë të qartë që në fillim se angazhimi ynë ndaj perspektivës së BE-së për rajonin mbetet i palëkundur dhe i pandryshuar. Udhëheqësit e Bashkimit Europian do ta diskutojnë procesin e zgjerimit në Këshillin Europian në mars dhe, së bashku me udhëheqësit e rajonit, në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb në maj”.

“Duke folur në Parlamentin Europian këtë javë, Presidentja Von der Leyen pranoi se që samiti në Zagreb të jetë një sukses, Bashkimi Europian duhet të bëjë detyrat e veta. Elementi kryesor i kësaj do të jetë diskutimi mbi metodologjinë e re të zgjerimit. Por është po aq e vërtetë që ka detyra të rëndësishme që duhen bërë edhe këtu në rajon. Ndërsa Bashkimi Europian duhet të përmbushë angazhimet e veta, ashtu duhet të bëjnë edhe qeveritë e rajonit. Si parlamentarë, ju keni një rol vendimtar për t’u kërkuar llogari qeverive tuaja kur bëhet fjalë për përmbushjen e premtimeve të tyre për reforma. Arritja e përparimit në fusha të rëndësishme si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet kyç për të ecur përpara në rrugën e BE-së”, tha Soreca.

“Sapo përmenda rolin e rëndësishëm të parlamenteve në procesin e integrimit në BE. Mendoj se kjo nuk mund të theksohet sa duhet. Integrimi në BE nuk është një proces teknokratik. Ai kërkon vullnet dhe vendosmëri politike. Parlamentet, të cilat janë në zemër të procesit demokratik, luajnë një rol vendimtar në formulimin dhe shprehjen e këtij vullneti”, u shpreh ambasadori i BE.

Si parlamentarë, theksoi Soreca, “ju mund të veproni si një urë e rëndësishme midis institucioneve shtetërore dhe publikut të gjerë dhe shoqërisë civile. Në fund të fundit, integrimi në BE nuk është qëllim në vetvete. Ne e ndjekim atë sepse e bën jetën e qytetarëve të vendeve tona më të mirë. Prandaj, qytetarët duhet të jenë pjesë integrale e procesit, dhe si anëtarë të parlamenteve ju mund të luani një rol të veçantë për ta bërë këtë realitet”.

“Parlamentet janë gjithashtu një simbol i dialogut politik. Siç e dini më mirë se unë, dialogu mes partive politike nuk është gjithmonë i lehtë. Por dialogu është thelbësor për përparimin politik, shoqëror dhe ekonomik në secilin nga vendet e përfaqësuara këtu sot. Ai është gjithashtu i domosdoshëm për përparimin në procesin e integrimit në BE”, tha ai.

“Dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm brenda vendeve, por edhe midis vendeve dhe qeverive të rajonit. Stabiliteti dhe prosperiteti nuk mund të arrihen në izolim. Axhenda e takimit të sotëm dëshmon për këtë: rinia, arsimi dhe lidhja – të gjitha këto çështje i lidhin së bashku vendet dhe shoqëritë e rajonit, dhe në fakt, lidhin rajonin dhe Bashkimin Europian”, shtoi ai.

“Edhe në rrethana të vështira, bashkëpunimi rajonal mund të funksionojë. Këtë e kemi parë kohët e fundit këtu në Tiranë me takimin e suksesshëm Ministror CEFTA muajin e kaluar. Kemi parë një akt bashkëpunimi edhe më të fuqishëm në nëntor, kur i gjithë rajoni u bashkua pas tërmetit tragjik këtu në Shqipëri. Bashkëpunimi dhe solidariteti që pamë në këto ditë dhe javë të vështira duhet të na frymëzojë të gjithëve që të përpiqemi për më shumë bashkëpunim. Siç e keni parë pas tërmetit, ju mund të keni besim se Bashkimi Europian do të jetë përkrah jush”, tha Soreca.