Projektligji “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji” do të shqyrtohet në kuvend me procedurë të përshpejtuar, çka do të bëjë të mundur që me datë 23 maj të votohet në parlament. Në seancën plenare të ditës së djeshme, me 95 vota pro, 3 kundër dhe 7 abstenim, u votua projektvendimi për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji. Kërkesa për shqyrtimin me e këtij pr/ligji me procedurë të përshpejtuar u depozitua në kuvend, dy ditë më parë nga Këshilli i Ministrave. Në funksion të kësaj kërkese, shqyrtimi i këtij pr/lgji në komisionin përgjegjës për Ekonominë dhe Financat do të bëhet në datën 20 dhe 21 maj, ndërsa amendamentet do të dorëzohen në komisionin përgjegjës brenda datës 20.05.2019, ndërsa shqyrtimi në seancë plenare do të bëhet në datën 23 maj.

Pr/ligji në kuvend

Projektligji i miratuar vetëm pak ditë më parë nga qeveria për trajtimin financiar, suplementar, të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji, ka mbërritur tashmë në Kuvend, ku pritet të diskutohet e miratohet në komisionet përkatëse e më pas të kalojë për votim në Parlament. Referuar kushteve për pension, bazuar në të dhënat që disponohen, si dhe në numrin aktual të punësuarve në industrinë e naftës, parashikohet që numri i personave që përfitojnë të arrijë në rreth 7 600, nga 12 500 që përllogaritej të ishte para ndryshimeve, me një efekt financiar vjetor rreth 720 milionë lekë. Në projektligjin fillestar, efektet financiare ishin parashikuar rreth 400 milionë lekë. Numri i përfituesve minatorë parashikohet të jetë rreth 13 300 persona dhe efekti përllogaritet rreth 520 milionë lekë në vit, ndërsa, për metalurgjinë, numri i përfituesve parashikohet të jetë rreth 2 500, me një efekt financiar rreth 220 milionë lekë. Gjithsej, parashikohet të jenë 23 400 përfitues me efekt financiar vjetor 1 460 milionë lekë.

Përfitimi sipas periudhës së sigurimit

Projektligji që paraqitet për shqyrtim ka për qëllim vendosjen e një skeme të njëjtë për punonjësit që kanë punuar në punë shumë të vështira. Përfitues, sipas këtij ligji, janë pensionistet që kanë përfituar pension sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë dhe do të plotësojnë kushtet e këtij ligji në vitet e ardhshme, punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhim, sizmikë, gjeofizikë kantieriale, përpunim dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji, në profesione, punë shumë të vështira, shkrirje etj. Këtyre personave u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si pension për shkak të profesionit (llojit të punës), shtesë mbi pensionin e pleqërisë, shtesë mbi pensionin e invaliditetit. Përfituesit, të cilët kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension kur kanë këto periudha sigurimi në profesion: punonjësit e nëntokës 12.5 vjet; punonjësit e industrisë së naftës e të gazit: burrat 20 vjet, gratë 15 vjet, punonjësit e metalurgjisë: burrat 20 vjet, gratë 15 vjet. Gjithashtu, punonjësit e këtyre industrive kanë të drejtën e trajtimit me pension për shkak të profesionit deri në 15 vite përpara moshës së pensionit nga skema e detyrueshme.

Pensionistët përfitues

Përfitues sipas këtij ligji janë pensionistet që kanë përfituar pension sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë dhe do të plotësojnë kushtet e këtij ligji në vitet e ardhshme, punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhim, sizmikë, gjeofizikë kantieriale, përpunim dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji, në profesione, punë shumë të vështira, shkrirje etj.