Antonio Konte i ka gjërat e qarta në mendjen e tij në lidhje me strategjinë që ka për ta rikthyer Interin në majat e futbollit italian. “Interi ka synim që të ndryshojë hierarkinë në futbollin italian. Kam folur me drejtuesit dhe kemi një linjë të përbashkët. Kam ardhur këtu për këtë gjë. E kemi si objektiv dhe do të bëjmë gjithçka për ta arritur”, thotë ai.

Juventusi- Në një intervistë për revistën “GQ”, trajneri i ri i zikaltërve i lëshon sfidë Juventusit dhe thotë se nuk ka asnjë problem që në të shkuarën ka mbajtur veshur fanellën bardhezi dhe ka drejtuar “Zonjën”. “Unë nuk kam bërë kurrë probleme dhe nuk do të bëj kurrë, edhe në këtë rast. Mendoj se gjithçka do të shkojë shumë mirë, ashtu si në këtë anë, edhe në atë tjetrën. Duhen vlerësuar faktet. Unë e kam rikthyer Juventusin te titulli kampion dhe me kombëtaren i shkova pranë Europianit 2016. Me Çelsin kam fituar titullin në Angli dhe Kupën. Interi pret që të nisë një cikël fitues dhe nuk më takon të flas për të shkuarën. E rëndësishme është që ta rikthej klubin aty ku e meriton”, theksoi Konte.

Marota- Një nga arsyet kryesore pse italiani zgjodhi zikaltrit, sigurisht që kishte të bënte edhe me prezencën e Marotës si administrator i klubit. “Ta transferosh Marotën në skuadër vetëm një minutë pasi është larguar nga Juventusi, kjo do të thotë se klubi ka synime të qarta, të njëjtat për të cilat kemi folur së bashku. Duam të ndërtojmë diçka të rëndësishme bashkë. Sigurisht që Marota ka qenë një pikë e rëndësishme për vendimin tim. Interi nuk lufton për titullin kampion prej 8 vitesh, por janë elementët e duhur për ta ndryshuar këtë tendencë. Mund t’ia dalim dhe nuk kemi limite. Në dhomën e zhveshjes do ta them këtë gjë”, shprehet 49-vjeçari.

Interi- Interi për Konten ka qenë gjithmonë zgjedhje e parë dhe për të shkuar aty ka refuzuar Realin e Madridit. “Më duhet të isha i kthjellët në ato momente dhe kuptova që nuk ishte situata e duhur dhe vendosa që ta humbas situatën për të drejtuar Realin. Është shumë e vështirë të thuash jo, edhe pse ofertat janë të shumta. Unë nuk zgjedh kurrë vetëm në bazë të ofertës”, tregon Konte.

Pirlo-Kante- Një vend të rëndësishëm në intervistën e Kontes zinin edhe lojtarët idealë për të pasur në skuadër. “Kam dy futbollistë që i përdor si pikë referimi dhe për të nxjerrë më të mirën nga lojtarët e skuadrave të mia. Janë dy modele të ndryshme, por fitues. I pari është Andrea Pirlo, i cili kishte një pasim fantastik. Në 70 metra ta sillte topin në këmbë. Sekreti i tij ishte vendosmëria në stërvitje. I dyti është N’Golo Kante. Jep gjithmonë maksimumin në fushën e lojës dhe vendoset në dispozicion të grupit. Vrapon për të gjithë në 90 minuta, pa harruar stërvitjet. Është gjithmonë i buzëqeshur. Kjo është ajo që do t’u kërkoj gjithmonë futbollistëve të mi”, përfundon Konte.

/PANORAMASPORT.AL/