Kantina e prodhimit të verës “Arbëri” një sipërmarrje e familjes Kaçorri, në zonën e Mirditës, ka rikthyer traditën e shijes së veçantë të verës Kallmet, që i ka dhënë emër jo vetëm kësaj zone, por edhe Shqipërisë në botë, për cilësinë e veçantë të verës.

Rigers Kaçorri, tregon sesi pas viteve 1990, babai i tij, ndërmorri këtë investim për ndërtimin e vreshtave me varietetin e rrushit kallmet, për të rikthyer prodhimin e verës autoktone me shijen e veçantë shqiptare.

Ai tregon se kjo sipërmarrje nisi me një sipërfaqe vreshti prej 3 hektarë por me kalimin e kohës u rritën sipërfaqet me vreshta dhe prodhimi i verës cilësore nga Kantina Arbëri, jo vetëm që u bë pija  më e kërkuar në tregjet e vendit, restorantet elitare por sot eksportohet në shumë vende të Europës e deri në Amerikë dhe kontinentin Aziatik.

Kaçorri tregon se vreshtat e ndërtuara në zonën e Bukëmirës, Mirditë janë ndër të parat plantacione të ndërtuara me standarde europiane, nën ekspertizën e ekspertëve të huaj duke kultivuara varietete autoktone shqiptare “Kallmeti” dhe “Sheshi i Bardhë”.

Ndërsa përmes mbështetjes me fonde të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, kantina “Arbëri” ka përmirësuar teknologjinë e repartin e fermetimit, çka ka sjellë përmirësim të cilësisë së prodhimit të verës nga kjo kantinë.

Kantina “Arbëri”, duke filluar që nga viti 2003, ruan çdo vit rreth 2500 shishe verë, të cilat përbëjnë jo vetëm koleksionin e kantinës por edhe historinë e kësaj sipërmarrje. Vera e kësaj kantine ka marrë jehonë tashmë edhe nga mediat prestigjoze të huaj të cilat e kanë vlerësuar kantinën “Arbëri” me pikët më të larta të cilësisë duke i dhënë emër në botë jo vetëm kësaj sipërmarrje shqiptare por edhe Shqipërisë. e.xh/