Futbollisti kosovar po gëzon formë të shkëlqyer në kampionatin zviceran me Sionin

Pajtim Kasami është bërë objektiv i klubeve të njohura, shkruan Gazeta Express.

Për ish-futbollistin e Fulhamit e Olympiacosit, interesim ka shprehur Crystal Palace në Angli dhe Fenerbahçe në Turqi, mëson Goal.com.

Përfaqësuesi zviceran pritet të largohet nga Sioni këtë muaj dhe trajneri Roy Hodgson e sheh atë si lojtar ideal për ta transferuar në Angli, ndërsa Kasami mund të kushtojë rreth 5 milionë euro.

26 vjeçari, i cili ka realizuar 8 gola këtë sezon dhe ka dhuruar 3 asistime në 20 ndeshje me Sionin këtë sezon, është bërë objektiv i Baselit po ashtu.

Kasami kishte luajtur në Angli në periudhën 2011-2014, respektivisht tek Fulhami, ndërsa kontrata e tij me Sionin skadon në vitin 2020.

Forma e tij e jashtëzakonshme këtë sezon ka bërë që klube të njohura evropiane t’ia mësyjnë atij gjatë janarit. /Gazeta Express/