Falë platformës së bashkëqeverisjes, Matilda Çekrezi, mësuese e gjuhës angleze në arsimin e mesëm të ulët në Gramsh, fitoi të drejtën për t’u transferuar në një shkollë më të afërt me vendbanimin.

Duke publikuar këtë rast, Kryeministri Edi Rama theksoi se “me fuqinë e bashkëqeverisjes, një njeri i zakonshëm ia del të arrijë atë që do”.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër histori të një njeriu të zakonshëm, që me fuqinë e bashkëqeverisjes i’a doli të arrijë atë që donte duke u drejtuar tek shqiperiaqeduam.al, ju uroj një fundjavë të qetë”, u shpreh Rama.

Vitin e kaluar, konform të gjitha procedurave dhe udhëzimeve në fuqi, Matilda dorëzoi dosjen për lëvizje paralele për t’u afruar në një shkollë më të afërt se ajo që ishte.

“Ndërkohë unë kisha informacione që vende më të afërta kishte dhe këtë të drejtë që e mendoja se po më mohohej nuk e lashë me kaq, por iu drejtova platformës”, tha Matilda.

Ajo u shpreh se prej 6 vitesh punonte si mësuese e gjuhës angleze në fshatin Tunjë dhe Lubinjë, dhe kishte kërkuar transferim në një shkollë më të afërt me qytetin e Gramshit, por kjo kërkesë nuk ishte marrë parasysh në drejtorinë arsimore, Gramsh.

“Pas aplikimit në platformë, kërkesa ime u mor parasysh dhe unë jap mësim në shkollën 9-vjeçare ‘Asllan Shahini’, të qytetit të Gramshit. Jam shumë e lumtur që bashkë me të drejtën time u rikthye dhe besimi se ka një vend ku zëri i qytetarit dëgjohet. Mjafton të mos dorëzohemi që në momentin e parë që na mbyllet një derë”, tha Matilda./m.m/