Kërkimet ekonomike-Sejko: Përmirësojnë modelet e politikëbërjes
Kërkimet ekonomike-Sejko: Përmirësojnë modelet e politikëbërjes

Workshopi i XII i Kërkimeve Ekonomike të Evropës Juglindore, që u organizua sot në Tiranë, nga Banka e Shqipërisë, synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve kërkimore inovative dhe të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të  bankave qendrore të rajonit e më gjerë, si edhe të institucioneve financiare e akademike vendase dhe të huaja, mbi çështje bankare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se, punimet kërkimore që prezantohen sot, do të kontribuojnë në procesin e vendimmarrjes dhe do ta ndihmojnë Bankën e Shqipërisë të marrë vendime që mbështeten në një informacion më të studiuar e më të hollësishëm, si dhe të përmirësojë modelet e saj dhe efektivitetin e politikëbërjes.

“Interesi për kërkim  shkencor për ekonomitë e vogla në zhvillim, si Shqipëria, merr prioritet, për shkak të karakteristikave të veçanta dhe të dallueshme të ekonomisë sonë, të cilat mund të jenë të ndryshme nga gjetjet kryesore të kërkimit”, tha Sejko ndërsa ritheksoi se, “duhet të forcojmë efektivitetin e përgjithshëm të mekanizmit të transmisionit dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe financiar, në mënyrë që goditjet e mundshme dhe të papritura të mos zhvillohen e të mos shndërrohen në rreziqe ekonomike dhe/ose sistemike”.

Sejko inkurajoi kërkimin ekonomik për rritjen e kapaciteteve dhe të kuptuarin e zhvillimeve ekonomike dhe financiar dhe lidhjen e tyre me instrumentet e politikës, për t’ju përgjigjur si duhet rreziqeve të mundshme.

“Kjo mund të bëhet duke përmirësuar njohuritë tona aktuale mbi goditjet në periudha të mëparshme, zhvillimin dhe ndikimet e goditjeve të mundshme. Përvoja ka treguar se këto njohuri janë të plota vetëm kur ato janë rezultat i një procesi kërkimor të aftë dhe rigoroz. E fundit, por jo për nga rëndësia, duhet të vazhdojmë përpjekjet tona të politikës për të forcuar lidhjen midis kërkuesve dhe politikë-bërësve. Besoj se këto përpjekje do të zgjerohen si nga kërkuesit edhe nga përdoruesit fundorë të produktit kërkimor”, deklaroi Guvernatori i BSH-së. /atsh