ATSH – I. Vata/- Komisioni Europian ndryshon metodologjinë e vlerësimit, jo qëndrimin pro hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha sot Taulant Balla në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Taulant Balla theksoi se emigrimi i paligjshëm është një çështje dhe një tematikë e rëndësishme dhe që lidhet drejtpërsëdrejti me detyrat e shtëpisë që Shqipëria duhet të adresojë në ndërgjegjësimin e një pjese të caktuar të popullsisë se azili në vendet e BE-SË nuk ndihmon as ata, as Shqipërinë, sepse Shqipëria nuk konsiderohet më si një vend nga i cili mund të jesh grup i caktuar vunerabël për t’u trajtuar me azil.

“Edhe në shifrat e publikuara, vetëm 2% e atyre që kërkojnë azil e përfitojnë atë, kryesisht dhe pjesa më e madhe janë vetëm në Francë, kjo lidhet me një vakum të papërditësuar me atë që kanë bërë vende si Gjermania në legjislacionin e tyre për trajtimin e emigrantëve që kërkojnë azil. Në këtë kontekst është mirëpritur fakti që Këshilli Kombëtar i Integrimit, jo vetëm sot por në vijim gjatë këtij viti të mblidhet dhe të diskutojë këto çështje që shkojnë përtej thjesht plotësimit të kritereve kuadër që ne kemi në rrugën tonë të integrimit në BE”, tha ai.

“Metodologjia e vlerësimit nga partnerët tanë do ndryshojë. Më datë 29 janar, Komisioni Europian do të publikojë metodologjinë e re të vlerësimit dhe të monitorimit të zbatimit të detyrave të shtëpisë nga vendet kandidate në kuadër të vlerësimit të procesit të para hapjes së negociatave, qoftë dhe me procesin tjetër që pason”, u shpreh Balla.

“Unë jam besimplotë që gjatë këtij viti, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE. Në lidhje me publikim e metodologjisë së re, vetë KE ka konfirmuar se paralelisht me publikimin e metodologjisë e re të ndryshuar, Komisioni Europian i qëndron rekomandimit se bisedimet për anëtarësim duhen çelur sa më parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Rekomandimi për anëtarësim mbetet një konstante e pandryshuar, qoftë nga Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe besoj që dhe brenda 27 vendeve anëtare të BE-së pas datës 31 janar të prevalojë dhe të ketë një konsensues të plotë lidhur me bisedimet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, theksoi ai.