Klubi i futbollit të Elbasanit pritet të nisë një tjetër vit mes shumë problemesh, sidomos në aspektin financiar.

Prej disa vitesh skuadra është larg pritshmërive dhe endet ne kategoritë inferiore në futbollin shqiptar.

Duket se problemi më i madh dhe që kërkon zgjidhje është ai i investitorëve në klub, teksa aktualisht aksionet kanë përfunduar në gjykatë dhe ende nuk dihet se kur do të marrë fund kjo çështje.

Në një prononcim për “Tv Skampa” gjyqtari ndërkombëtar Enea Jorgji, si një elbasanas i vjen keq për situatën ku ndodhet klubi, teksa mendon se me afrimin e investitorëve skuadra mund të rikthehet aty ku i takon.

Në fakt, gjendja jo e mirë e klubit të futbollit të Elbasanit ka prekur këdo në qytet, sepse prej afro një dekade klubi nuk ka qenë brenda pritshmërive.

Megjithatë, ka ende shpresë se me rregullimin e ngërçit të aksioneve në klub do të afrohen investitorë të rinj për të ngritur skuadrën aty ku i takon.

 

Edlira XHERRI