KINEMA – Version i ri i “Mama, humba avionin” për platformën video
KINEMA – Version i ri i “Mama, humba avionin” për platformën video

”Disney” po përgatit një version të ri të filmave klasikë “Mama, humba avionin” dhe “Natë në muze”, për platformën video me kërkesën që të publikohet në muajin nëntor në SHBA.

Numri një botëror i argëtimit ka marrë në dorë një numër të madh filmash emblematikë që i përkasin ”21 Century Fox”, blerja e të cilave u vendos pranverën e kaluar.

Bob Iger, drejtuesi i grupit theksoi se ”Disney” ishte i vendosur të përmirësonte katalogun e gjerë të Fox (…) për shembull duke risjellë në një version tjetër filmat “Mama, humba avionin”, “Natë në muze” dhe “Ditari i një frikacaku” për një gjeneratë tjetër në ”Disney+”.

“Asgjë nuk është më e rëndësishme sesa ta bëjmë këtë në mënyrë korrekte”, theksoi ai.

Iger nuk dha detaje nëse këto versione të reja do të adaptoheshin në metrazh të gjatë apo në serial televiziv.

Trilogjia “Mama, humba avionin” ka mbledhur më shumë se 900 milionë dollarë në sallat në mbarë botën.

Në filmin e vitit 1990, Macaulay Culkin mishëron Kevin McCallister, një fëmijë tetëvjeçar që lihet vetëm në shtëpi nga familja e tij pasi nisen me pushime jashtë vendit. Gjatë festës së Krishtlindjeve ai detyrohet të mbrojë shtëpinë kundër dy hajdutëve.

Trilogjia tjetër e sukseshme “Natë në muze” vuri në skenë komedianin Ben Stiller si roje nate, i cili përpiqet të mirëmbajë pjesët e muzeut për të cilat është ngarkuar. Ky film ka mbledhur 1,35 miliardë dollarë në mbarë botën.

”Disney” është gjithashtu pronar i studiove “Marvel”, që kanë zbuluar së fundi projektet e tyre për superheronjtë që mund të ndiqen në shtëpi, por gjithashtu dhe në kinema në formën e serialeve televizive./atsh