Janë përcjellë sot për në banesën e fundit 6 anëtarët e familjes Cara, të cilët nuk arritën t’i mbijetonin tragjedisë së 26 nëntorit. Në tryezën e pasmortit, i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama.

Në një bashkëbisedim me kryeministrin, të afërmit e familjes Cara tregojnë se kryefamiljari, Albert Cara, i vetmi që u nxor i gjallë nga rrënoj, i cili u dërgua drejt Italisë për kurim pas plagëve të marra, nuk e di që i është shuar e gjithë familja.

“Ai nuk e di që kanë vdekur të gjithë, por diçka  e di, sepse kur i shkoi e motra në spital e pyeti: më thuaj kush ka vdekur, më thuaj emrin.

I ka thënë se djalin e  kishte për dore dhe se dora kishte filluar t’i ftohej”, tregon njëri nga familjarët. Viktima të tërmetit tragjik, në familjen Cara mbetën: Fatmira Cara 54-vjeç, Hasan Cara 16-vjeç, Ankthi Cara 65-vjeç, Almir Cara 26-vjeç, Stela Zvergeci 20-vjeç,e fejuara e Almir Cares.