Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e cilësoi fshatin Lin në Pogradec si një pikë të rëndësishme jo vetëm turistike, por edhe kufitare me Maqedoninë e Veriut, që siç tha ai, “bashkërendimi i bashkëpunimit mes dy vendeve veçanërisht në zonën e liqenit merr prioritet në zhvillimin e mirëfilltë të turizmit gjithëvjetor”.

Duke marrë fjalën gjatë një takimi që zhvilloi Kryeministri Edi Rama, me banorë të fshatit Lin, në përurimin e një bujtine, Klosi tha se, “ne ishim sot në aksionin e Taskforcës, nën drejtimin e Prefektit, për të kuptuar problematikat e sezonit turistik në Pogradec dhe shumë nga qytetarët e pushuesit u shprehen se fluksi i turizmit është rritur, por kërkohet përmirësim i shërbimeve, për të shtuar më tej fluksin e turistëve”.

Ai vuri theksin për ndërhyrje komplekse, duke iu referuar edhe investimeve që bën Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që fillojnë që nga pastrimi i ujit që derdhet në liqenin e Ohrit, monitorimi i shërbimeve, vendosja e rrjetit të bashkëpunimit me zonën kufitare të Maqedonisë së Veriut, që i shërbejnë zhvillimit të turizmit, për të rritur të ardhurat nga ky sektor për ekonomitë familjare.

Klosi e cilësoi bujtinën e re në Lin si një investim që kontribuon në zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit të zonës, si dhe në zhvillimin e ofertës turistike gjithëvjetore. /atsh