BASHKË PËR TË DREJTAT E GAZETARËVE

Liria e shprehjes qëndron në themel të një shoqërie demokratike, garantohet nga Kushtetuta dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dhe media, ndonëse konsiderohet pushteti i katërt, aktualisht është duke kaluar kohë të vështira. Edhe pse gazetarët janë personat që evidentojnë problematikat e shoqërisë, kur vjen puna te problemet e tyre nuk janë shumë të zotë në zgjidhjen e tyre.

Është fakt që ende në vitin 2019-të në Shqipëri ka gazetarë që nuk janë të siguruar dhe punojnë pa kontrata.

Ndaj, për të ndërgjegjësuar punonjësit e medias nën sloganin “Bashkë për të drejtat e punës së gazetarëve”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit në bashkëpunim me ambasadën britanike, janë duke zhvilluar një seri takimesh në çdo qytet për t’i ndërgjegjësuar, por edhe për t’i ndihmuar në problemet që hasen çdo ditë punonjësit e medias. Drejtoresha e Programit të Komunitetit Shqiptar të Helsinkut, Miriam Angoni, foli më me detaje për qëllimin e takimeve me gazetarët në të gjithë vendin.

Veç largimeve masive të mjekëve në drejtim të Gjermanisë për kushte më të mira, konstatohet edhe hemoragji në radhët e gazetarëve. Çdo ditë e më shumë, ky profesion po braktiset nga gazetarët.

Në këtë kuadër, gazetarja Valbona Sulçe, ftoi kolegët e saj të mos dorëzohen, por duke respektuar parimet dhe ligjet, të vijojnë të jenë pjesë e tregut mediatik. Edhe ekspertja ligjore, Vjollca Meçe, tha se pa median kalojmë në një diktaturë me rotacion, ndaj kërkoj prej gazetarëve ta mbajnë në këmbë pushtetin e katërt.

Komuniteti Shqiptar i Helsinkit në bashkëpunim me ambasadën britanike ofrojnë konsulencë juridike falas, për të gjithë ata gazetarë që do të vendosin të ngrihen të kërkojnë të drejtat e tyre, qoftë në pagesat e siguracioneve, kushteve në punë, por edhe një sërë shkeljesh të tjera. Një pjesë e gjyqeve të ngritur nga gazetarët edhe janë fituar nga këta të fundit.

Edlira XHERRI