Shqipëria turistike gjatë pjesëmarrjes në Panairin e Turizimit në Berlin tërhoqi vëmendjen e turistëve të huaj, por edhe të tur operatorëve të cilët kishin një interes të shumë madh për të zbuluar thesaret e vendit tonë.

Interes i veçantë në këtë panair u shfaq nga kompania më e madhe polake e turizmit, “ITAKA”, e cila e ka futur vendin tonë në paketën turistike për vitin 2019 dhe e ka promovuar me një galeri fotosh të mrekullueshme që tregojnë bukuritë e vendit tonë nga malet dhe detet, e deri tek vendet historike dhe kulinaria.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi është shprehur se, “polakët, turistët me interes gjithnjë e në rritje për të vizituar Shqipërinë! Në panairin ITB në Berlin, drejtuesit më të lartë të kompanisë më të madhe polake të turizmit, ITAKA, na treguan për kuriozitetin e shtuar të polakëve për të zgjedhur si destinacion turistik gjatë 2019-s: Shqipërinë”.

“Agjencia ITAKA raporton se oferta turistike shqiptare është nga më të shiturat, me mbi 30% më shumë se në 2018-n. Çka do të thotë se gjatë 2019-s pritet që në vendin tonë të vijnë shumë më shumë turistë nga Polonia. Diversifikimi i paketës turistike po e shndërron Shqipërinë në destinacion turistik jo vetëm ballkanik, por edhe europian”, tha Klosi. /atsh