Zv/shefi i misionit në detyrë i Ambasadës amerikane, Dan Koski deklaroi sot se SHBA do mbështesë Shqipërinë në kurimin e sëmundjes së korrupsionit.

“Si çdo mjeke e përqendruar në shërimin e pacientit të saj, për të trajtuar shkaqet thelbësore të ekstremizmit të dhunshëm, Shqipëria duhet së pari, të shërojë sëmundjet e korrupsionit dhe mënjanimit politik, të cilat kanë margjinalizuar shumë prej qytetarëve të saj. Kura mund të mos jetë e lehtë, por është e mundur dhe Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të japin mbështetjen e tyre në përpjekjet e Shqipërisë për ta arritur këtë gjë”, – tha Koski, duke folur gjatë ceremonisë në vlerësim të 12 investiguesve të zbatimit të ligjit në Drejtorinë e Antiterrorizmit dhe Krimit Kibernetik, të cilët përfunduan kursin e “Hetimit të Përparuar në Internet dhe Media Sociale” këtë javë.

Ambasada e SHBA-së shpjegon se trajnimi është pjesë e një programi prej 1.3 milionë dollarësh i Asistencës për Trajnim Antiterrorizëm në mbështetje të Policisë së Shtetit dhe Njësisë Antiterrorizëm, për të rritur aftësitë e tyre në hetimet kundër terrorizmit. /j.p/