NASA ka prezantuar kostumet e reja hapësinore që do të vishen nga gruaja e parë që do të shkelë në hënë.

Kostumi i gjeneratës së re ishte bërë për programin Artemis, që synon të ulë në tokën hënore gruan e parë dhe po ashtu edhe astronautin mashkull të radhës, deri në 2024. Duke folur në zyrat e NASA-s, administratori Jim Bridenstine dhe inxhinierët e kostumeve hapësinore, i prezantuan ato deri në detaje.

Një prototip i bardhë, me krahë blu dhe të kuq, u prezantua nga Kristine Davis, një inxhiniere e kostumeve hapësinore në qendrën hapësinore Johnson.

Veshja është e projektuar për të eksploruar sipërfaqen hënore, veçanërisht polin jugor, që është edhe objektivi i NASA-s për uljen e ardhshme të një ekuipazhi në hënë.

Kostumi mund të përshtatet për përmasat trupore të çdo astronauti. Ai është më fleksibël se kostumet e deritanishme, ç’ka i lejon astronautët të lëvizin më lirshëm. Kostumi mund të përballojë ndërkohë një temperaturë që varion nga -150 gradë celcius në 120 gradë celcius.

Ndërsa prototipi i dytë, ngjyrë portokalli, do të përdoret nga astronautët kur të nisën në hapësirë me kapsulën Orion dhe të kthehen në tokë. Kostumet e reja vijnë pasi planet për shkeljen e së parës astronaute grua në hënë u anuluan këtë vit për shkak të mundesës së kostumeve hapësinore në përmasa mesatare.