Komisioni i Pavarur i Kulaifikimit ka shkarkuar nga detyra  kryetarin e gjykatës së Sarandës, Alltun Çela. Trupa gjykuese që kreu vetingun për Çelën përbëhej nga Pamela Qirko, Xhensila Pine dhe Genta Tafa Bungo.

Në raportin e tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi se Cela kishte probleme në të trija kriteret e rivlerësimit; pasuri, figurë morale dhe aftësi profesionale.

DSIK ka dorëzuar një raport negativ për gjyqtarin Çela, duke nënvizuar se ky i fundit nuk është ‘i përshtatshëm’ për tu konfirmuar në detyrë, ndërsa vlerësimi i KLD-së për profesionalizmin e subjektit është ‘nën mesatar’.

Problemet lidhen me vërtetësinë e deklarimeve të bëra nga subjekti për disa asete, përfshirë një tokë pemishte me sipërfaqe 17540 m2, një shtëpi banimi në fshatin Tetzat, njësia administrative Vergo e bashkisë Delvinë, një shtëpi banimi të ndërtuar në ish fabrikën e biskotave në Sarandë, një magazinë me sipërfaqe 51 m2, një truall 400 m2, si dhe një njësi shërbimi me sipërfaqe 30 m2 në Sarandë.

Alltun Çela e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1995. Ai drejton Gjykatën e Sarandës prej vitit 2008, ndërsa u rikonfirmua në këtë pozicion edhe në vitin 2014.

Në vitin 2016, emri i Alltun Çelës u lakua në Gjykatën e Krimeve të Rënda për një çështje pronash nga kolegu i tij Rasim Doda, ndërsa ky i fundit po gjykohej për korrupsion. Doda u dënua në shkallë të parë, por Apeli e rrëzoi vendimin.

/BalkanWeb