Tentativat e presidenti ilir Meta për të çuar vendin në zgjedhje vendore më 13 tetor duken të dështuara. Edhe pse ai deklaron se e bëri këtë gjë për të shmangur përplasjen civile, duket se e ka ndezur më tej situatën. Por edhe pse për LSI dhe Metën ka zgjedhje vendore në tetor, shanset që kjo të ndodhë janë pothuajse zero. SHBA e BE kanë njohur 30 qershorin dhe kanë kërkuar që të bëhet ankim në Kushtetuese nga ata që dalin kundër. Por mungesa e Kushtetueses është një nga arsyet që 13 tetori mund të dështojë. KED nuk ka publikuar ende emrat e kandidatëve për Kushtetuesen. Nëse e marrim të mirëqenë se brenda korrikut apo gushtit dalin emrat, Kuvendi e Presidenca kanë 1 muaj kohë të vendosin. Kuvendi është me pushime në këtë periudhë. Ndërkohë 3 kandidatë i zgjedh Gjykata e Lartë, e cila nuk ka gjyqtarë. Pra është shumë në pikëpyetje si do zgjidhen anëtarët nga Gjykata e Lartë. Por edhe nëse Kushtetuesja ngrihet brenda verës, asaj do i duhet kohë të vendosë për dekretin e presidenti. Edhe sikur të shprehet në shtator pro tij, nuk ka aspak kohë që për 1 muaj të zhvillohen zgjedhje. Po ashtu, vendimi KQZ për të mos marrë parasysh 13 tetorin pa një vendim gjykate ka bërë që afatet të tejkalojnë. Së pari, nuk mund të ngrihen KZAZ brenda parashikimeve të Kodit Zgjedhor. “Vendimi për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor merret nga KQZ-ja jo më vonë se 90 ditë para datës së zgjedhjeve. Partitë politike propozojnë kandidaturat përkatëse për anëtar të KZAZ-së jo më vonë se 15 ditë para afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni”, thuhet aty. Po ashtu probleme ka dhe me listat e zgjedhësve. Sipas nenit 51 Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, jo më vonë se 5 ditë nga dita e dekretimit të datës së zgjedhjeve, urdhëron zyrat e gjendjes civile të fillojnë procesin e hartimit të ekstraktit të përbërësve zgjedhorë, në përputhje me këtë Kod. “Jo më vonë se 15 ditë nga dita e dekretimit, zyra e gjendjes civile nxjerr në format elektronik ekstraktin me përbërësit zgjedhorë të të gjithë shtetasve me të drejtë vote në datën e zgjedhjeve, me përjashtim të shtetasve që kanë mbushur 100 vjeç deri në këtë datë”, thuhet aty. Dekretimi ka javë që ka kaluar dhe nuk është marrë asnjë masë. Po ashtu gati 6 muaj para zgjedhjeve KQZ duhet të hartojë planin e saj të punës dhe më pas duhet që të përcaktohen afatet për dorëzimin e listës së kandidatëve, të koalicioneve apo afatit për regjistrimin e partive. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur.

Rreziku nga 13 tetori

Në mungesë të një vendimmarrje nga Gjykata Kushtetuese, KQZ vijon të mos bëjë asnjë lëvizje për zgjedhje më 13 tetor. Por kur të afrohet kjo datë mund të kemi përplasje. PS e ka ndarë mendjen që nuk e pranon 13 tetorin, ndërsa dhe PD është e lëkundur. Sipas Kodit Zgjedhor, më 13 shtator duhet të nisë dhe fushata. Pra çdo afat rrezikon të tejkalohet dhe kjo pritet që të shërbejë si burim konflikti. Meta e Berisha e kanë bërë të qartë se nuk duan dialog me Ramën. Dje Meta thirri në takim Bashën duke i kërkuar që të pranojë 13 tetorin. Lideri demokrat është i lëkundur, por deri më tani është distancuar nga Meta. Por sinjalet janë se 13 tetori mund të përdoret si pretekst nga opozita për të nisur një valë të re protestash dhe mosbindjeje civile. Në shtator do rikthehen tubimet dhe alibia e re do jetë me gjasë 13 tetori, i cili do dështojë nëse situata vijon të mbetet e njëjtë.

Kliti Topalli