Nuk ka të ndalur krimi në familje, këtë rradhë viktimë ka mbetur një 45-vjeçare nga Vlora e cila është mbytur për vdekje nga bashkëshorti i saj. Mësohet se burri ka mbytur me duar bashkëshorten e tij gjatë një sherri dhe më pas ka prerë damarët e dorës. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në një banesë e cila ndodhet shumë pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë. Eva Lera, 45 vjeçe, është mbytur nga bashkëshorti i saj Teodor Lera, 57 vjeç. Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive xhelozie. Çifti Lera janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ndërsa 57-vjeçari, ka mbytur me duar gruan e tij duke e lënë të vdekur në vend. Pas këtij akti dhe kur e ka kuptuar krimbnin që kishte bërë Teodori ka tentuar të presë damarët, ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në prani të vajzës së çiftit e cila është studente në kryeqytet dhe kishte shkuar në banesën e prindërve mëngjesin e djeshëm. Ka qenë pikërisht kjo e fundit e cila ka lajmëruar policinë për ti ardhur në ndihmë. Duke qenë se komisariati i policisë ndodhet shumë pranë pallatit të çiftit Lera, uniformat blu të qytetit bregdetar kanë mbërritur në kohë rekord në banesë. Edhe pse policia shkoi shpejtë e kishte të pamundur ta parandalonte krimin e rëndë. Efektivët pasi kanë shkatërruar derën e shtëpisë janë futur brenda dhe kanë gjetur të vdekur 45-vjeçaren, Eva Lera, ndërsa bashkëshorti i saj Teodori ishte në gjendje të rëndë, i mbuluar nga gjaku. Menjëherë pas ngjarjes reagoi dhe policia e Vlorës, ku dha disa detaje për ngjarjen. “Sot rreth orës 12:10, në lagjen “Kushtrimi”, në katin e parë të një pallati është gjetur e pa jetë një shtetase 45 vjeçe. Nga hetimet paraprake dyshohet se ajo mund të jetë vrarë nga bashkëshorti. 57-vjeçari më pas, dyshohet se ka prerë damarët. Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sqaroi policia në njoftimin paraprak. Mësohet se prej kohësh ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, ndërsa kishin tre fëmijë.

Vrasja e 45-vjeçares, e paralajmëruar

Vrasja e gruas 45-vjeçare në Vlorë ishte një tragjedi e paralajmëruar ashtu si shumë të tjera që kanë ndodhur në vend. Burri i cili vrau gruan mesditën e djeshme në Vlorë, ishte i papunë dhe të ardhurat e familjes, i siguronte vetëm viktima. Eva Lera, 45 vjeçe, e cila u mbyt nga i shoqi në banesën e tyre në lagjen “Kushtrimi”, e kishte denoncuar në polici edhe më herët të shoqin për dhunë. Para disa kohësh, rreth dy vite të shkuara çifti Lera përfundoi në polici, pasi Teodori i kishte çarë kokën gruas së tij dhe ishte arrestuar nga forcat e policisë. Por më pas bashkëshortja e tij Eva e kishte falur dhe ishte ribashkuar me babain e fëmijëve të saj. Këtë e konfirmojnë edhe fqinjët të cilët thonë se viktima në atë kohë tërhoqi denoncimin dhe vendosi ta falte bashkëshortin e saj që i mori jetën Por siç deklarojnë fqinjët, për hir të tre fëmijëve që kishin bashkë, viktima u bashkua sërish me bashkëshortin pa e ditur se ai do i merrte jetën. Gjithashtu fqinjët thanë për mediat se gruaja nuk dilte nga shtëpia, përveçse në punë, në dyqanin pranë banesës, ku shiste rroba të përdorura, pasi i shoqi Teodor Lera 57 vjeç, ishte xheloz dhe i bënte fjalë. Pas zënkës së radhës në çift, Teodori mbyti të shoqen dhe më tej në gjendje të rënduar psikologjike, rrëmbeu një thikë në kuzhinë dhe preu damarët e dorës, në tentativë për ti dhënë fund jetës. Teodor Lera, 57 vjeç dhe Eva Lera, 45 vjeçe ishin prindër të tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. Një prej vajzave jeton në Amerikë, djali në Angli dhe vajza tjetër në Tiranë ku ishte studente. Krimi i cili u shënua rreth orës 12.00 të mesditës së djeshme, ndodhi teksa në banesë ndodhej edhe vajza e tretë e çiftit, e cila ishte studente në Tiranë. E reja kishte shkuar dje në mëngjes tek prindërit, pa e ditur gjëmën që do të ndodhte. Mësohet se çifti Lera ishin nga fshati Bunavi por prej disa vitesh jetonin në Vlorë, ku Eva shiste rroba të përdorura për të siguruar jetesën.

Elvis Myrta