Ylli Shameti njoftoi ditën e sotme “divorcin” me Kukësin, pas plot 6 vitesh të suksesshme. Pavarësisht dëshirës për të qëndruar te verilindorët, mbrojtësi gjirokastrit nuk ka preferuar të zbulojë arsyet e largimit, pasi sipas tij, koha i tregon të gjitha.

Nuk ka munguar as reagimi i Kukësit në faqen zyrtare, në lidhje me këtë lajm. Klubi verilindor ka falënderuar Shametin për kontributin e dhënë teksa bën me dije se 35-vjeçari do ta ketë gjithmonë derën e klubit të hapur, edhe si  pjesë e stafit teknik.

NJOFTIMI I KUKËSIT:

Futboll Klub Kukësi falenderon Ylli Shametin për kontributin e dhënë me fanellën tonë.

Gjatë 6 viteve me skuadrën kuksiane, ku shumicën e kohës si kapiten, qendërmbrojtësi ka qenë një nga futbollistët më profesionist në historinë e Klubit, si brenda ashtu dhe jashtë fushës së blertë.

35-vjeçari me skuadrën tonë arriti të fitonte Titullin Kampion, 2 herë Kupën e Shqipërisë si dhe Superkupën.

Në arenën ndërkombëtare ka luajtur rol kyç, pasi ka ndihmuar ekipin në kualifikimet europiane.

Me klasin dhe karakterin e tij prej lideri, ai i ka dhënë gjithmonë motiv bashkëlojtarëve, duke e çuar ekipin drejt sukseseve.

‘Mbreti’ i topave në ajër, por edhe shpesh herë autor golash, gjirokastriti do të jetë gjithmonë në zemrat dhe mëndjet e kuksianëve.

Një profesionist si Ylli Shameti do ta ketë gjithmonë derën e Klubit hapur, edhe si pjesë e stafit teknik.