Andi Lila nuk ka dëshirë të polemizojë me klubin e Partizanit në distancë. Përshkrimi i Lerdës si trajner problematik, apo ndonjë vlerësim nga jashtë kundrejt klubit të kuq, mori përmasa që futbollistit të Tiranës nuk i pëlqejnë.

“Mendoj se deklarata doli disi nga konteksti. Nuk kam asnjë dëshirë t’i përgjigjem klubit të Partizanit dhe aq më pak të komentoj punët e tyre. Realisht nuk kam fare dëshirë… Biseda në studio ishte krejtësisht spontane dhe pa asnjë qëllim të keq. Dua ta lë me kaq”, tha mbrojtësi i Tiranës për “Panorama Sport”.

Klubi i Partizanit iu përgjigj me doza ironie, duke i përmendur se po bënte shou nëpër televizione për të justifikuar pagën te klubi i Tiranës, duke qenë se lojtari nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon për shkak të problemeve fizike që ka pasur. Lila natyrisht që nuk dëshiron të replikojë as për ngacmimin e klubit të kuq, por një sqarim për pagën e tij e bën, duke qenë se shpeshherë janë lakuar shifra të majme rreth rrogës së tij te bardheblutë.

“Është folur shumë për rrogën time dhe shpeshherë është abuzuar. Nuk kam asgjë me median, kështu ndodh edhe në vende të tjera të botës herë pas here… Sa për informacion të përgjithshëm, mund t’ju them se nuk marr asnjë lek te Tirana për aq kohë sa nuk luaj. Unë nuk kam ardhur në këtë klub as për të përfituar dhe as për të marrë gjëra që nuk më takojnë. Do të paguhem te Tirana sapo të zbres në fushë dhe të jap kontributin tim. Për fat të mirë rikuperimi po ecën me ritme të kënaqshme dhe për mua kjo është pjesa më e rëndësishme.

OLSI AVDIAJ