Kursi i këmbimit reflekton nivelin e lartë të investimeve të huaja
Kursi i këmbimit reflekton nivelin e lartë të investimeve të huaja

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë një konference për shtyp deklaroi se mbiçmimi i lekut gjatë periudhës së fundit pasqyron ndër të tjera përmirësimin e faktorëve fondamentalë siç janë përmirësimi i bilanceve të pagesave, miksimi i politikave monetare pozitive, konsolidimi fiskal si dhe niveli i lartë i investimeve të huaja.

“Kursi i këmbimit të lekut është ndër më të qëndrueshmit në rajon dhe luhatjet e tij tentojnë të kenë një shpërndarje normale”, tha ministri, ndërsa shtoi se në një vend normal me kurs këmbimi të pa fiksuar si ekonomia shqiptare, qeveria nuk bën ndërhyrje në kursin e këmbimit, pasi do të ishte e gabuar të bënte.

Sipas kreut të financave publike, ka një diskutim për fasonët, për sa i përket dëmtimit që mund të kenë nga kursi i këmbimi.

Por theksoi ai, vlera e shtuar e tyre në Shqipëri për shkak të regjimit të përkohshëm, siç i referohemi, është e bazuar në lekë dhe maksimumi është 20% .

“Edhe sikur kursi pra leku të mbivlerësohej në masën 20%, kosto që ju lëviz është në nivelet nga 2-3%”, shpjegoi ministri.

Ahmetaj tha se ndikimi është i kufizuar për shkak se shumicën e furnizimit e kanë nga vendet e eurozonës ku blejnë dhe shesin në euro.

Mbiçmimi, u shpreh Ahmetaj, është tregues i forcimit të ekonomisë shqiptare, por nuk është gjithmonë pozitiv për disa nga aktorët ekonomik.

Më tej, ai shpjegoi se ajo që po ndodh në Shqipëri me kursin e këmbimit po ndodh edhe në pothuajse në të gjitha vendet e rajonit për shkak të përmirësimit të fondamenteve të ekonomisë.
/ATSH