Rasti i dyshuar për përdhunim në Mülheim ka ndezur debat në Gjermani, e ka ngritur disa çështje juridike dhe social-kulturore, si mosha e dënimit të minorenëve, por edhe gjendja e fëmijëve të migrantëve në Gjermani.

Tre 14 vjeçarë dhe dy 12 vjeçarë, djem të rinj bullgarë janë të dyshuar, se të premten në mbrëmje (5 Korrik) në Mülheim an der Ruhr (Mylhaim an der Rur)kanë përdhunuar një vajzë të re në pyll. 12 vjeçarët nuk kapin moshën e dënimit, kurse njëri nga 14 vjeçarët ndodhet në paraburgim për shkak të rrezikshmërisë. Zyra e kujdesit për minorenët në Mülheim ishte përpjekur të hënën të bisedonte me familjet e 12 vjeçarëve. Por ofertat për ndihmë nuk janë pranuar nga ata.


Volker Wiebels, zëdhënës i bashkisë së Mülheimit shpjegon në një intervistë për Deutsche Welle: “Një gjë mund të thuhet në përgjithësi. Nuk ka rrezikim të mirëqenies së fëmijës. E drejta e edukimit është tek prindërit, ose ka mbetur tek njëra palë (pjesërisht ka prindër të ndarë). Ne si bashki japim mbështetje, ka masa të ndryshme, ku mbështeten familjet si të tëra, por ka edhe masa parandaluese të qeverisë së landit.”

Dëbimi nuk bëhet dot

Werner Jostmeier, konsull nderi i Republikës së Bullgarisë në Münster ka shumë përvojë me migrantët bullgarë në landin gjerman të Renani-Veriore Vestfali (Nordrhein-Westfalen). Ai nuk e pranon mosndërhyrjen e Zyrës së kujdesit për minorenët. “Nëse Zyra e kujdesit për minorenët mund të zbatojë masa të detyrueshme, do ta rekomandoja. Ne nuk mund t’i kthejmë këta njerëz, sepse ata gëzojnë lirinë e lëvizjes brenda BE. Por ata duhet, të lutem, të respektojnë rregullat që vlejnë këtu. E nëse bien në konflikt me zyrën e minorëneve apo ligjin, atëherë autoritetet gjermane duhet të kenë kompetencën të ndërhyjnë.”

Werner Jostmeier