E pabesueshme, por e vërtetë. Pas shumë spekulimeve të merkatos për transferimin e francezit Rabiot nga PSG tek Barcelona, ai që projektohej si një operacion i besueshëm, rriskon të mos realizohet. Kleçka në këtë rast është vetë protagonisti i këtij operacioni, Adrien Rabiot, i cili kërkon të largohet nga klubi parizien për të kaluar në “Camp Nou”, por sipas kushteve të tij.

Në këtë kontekst mesfushori 23 -vjeçar do të pranojë të mbajë veshur fanellën e katalanëve vetëm nëse kontrata do të shkruhet sipas disa kërkesave specifike të tij, që tingëllojnë deri diku arrogante për moshën e tij të re dhe klubin për të cilin flasim.

Por nga një personazh si Rabiot, që verën e shkuar refuzoi ofertën e Didier Dechamps për të qenë pjesë e listës së rezervave në Kombëtaren franceze, duke humbur shansin për të qenë kampion bote, një fakt i tillë edhe mund të pritej.

Siç raporton e tabloidi “Sport”, edhe pse nuk ka ndodhur më parë, Rabiot kërkon të integrojë në kontratën e tij më blaugranat një klauzolë që i jep siguri taktike, pasi francezi kërkon që nëse bëhet pjesë e organikës së Barçës, të mos luajë asnjëherë si një mesfushor i tërhequr, pra në rolin e Busquets.

Edhe në të shkuarën parizienët kanë patur disa probleme të ngjashme me 23-vjeçarin që insistonte për të mbajtur vetëm rolin e tij në vendosjen në fushë. Asnjë klub nuk do ta pranonte lehtësisht një klauzolë si kjo që kërkon Rabiot, pasi disa vendime i takojnë vetëm trajnerit dhe për këtë arsye nuk mund të marrësh një përforcim që imponon kushte kategorike ndaj numrit 1 të stolit e që për pasojë do të mund të krijonin edhe pakënaqësi ndër lojtarët e tjerë.

Në pamje të parë Barcelona nuk duket se është e gatshme të plotësojë kriteret e Rabiot, çka do të hapte një tjetër pistë për ta, duke synuar shërbimet e holandezit Frenkie de Jong, që si pjesa më e madhe e futbollistëve, për të mbajtur veshur fanellën e një klubi si Barcelona, ndoshta do të pranonte të luante edhe në portë.

© SYRI.net