Thellohen përplasjet mes qeverisë shqiptare dhe asaj ruse. Sot Kuvendi do të miratojë projektrezolutën “Për Ndërhyrjet e Huaja në Proceset Elektorale dhe Dezinformimin në Proceset Demokratike Kombëtare”. Një goditje i jepet në këtë draft dhe Moskës. Por dje reagoi ambasada ruse në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ambasada ruse kërcënon autorët e rezolutës, por dhe Shqipërinë, se kjo nuk do të kalojë pa u vënë re në Rusi. “Është e qartë se Shqipëria po përballet me «tentativa nga aktorë të huaj (…) për të ndikuar në vendim-marrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut…” (pika а) preambul i dokumentit). Po ç’hyn këtu Rusia? Autorët e projektit nuk mund të mos e kuptojnë që “rezoluta” të tilla nuk do të kalojnë pa u vënë re në Rusi”, thuhet në postim. Më tej, ambasada ruse i cilësoi sulme të pajustifikuara dhe të pabazuara të cilat shkojnë në kundërshtim edhe me qëllimet e OSBE-së, ku Shqipëria dhe Rusia janë anëtare me të drejta të plota. “Sulmet e pajustifikuara dhe të pabazuara ndaj një prej anëtarëve aktivë dhe me të drejta të plota të OSBE-së, kryesinë e së cilës pritet të marrë Shqipëria në vitin 2020, aq më tepër, shkojnë në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e kësaj organizate, të cilët konsistojnë në të punuarit së bashku në emër të sigurisë dhe bashkëpunimit në kontinentin Evropian”, shkruan ambasada. Ambasada pretendon se në rezolutën që do të miratohet nga Kuvendi, Rusia përmendet pa provën më të vogël. “U njohëm me projekt-rezolutën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë «Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare». Rusia përmendet sërish. Për më tepër, për fat të keq, është kthyer tashmë në traditë që Rusia përmendet pa patur edhe provën më të vogël”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse. Më tej, ambasada e Rusisë në Tiranë vijon me sulmet e saj, duke u shprehur se projekt-rezoluta është plagjiaturë e asaj të Parlamentit Evropian. “Me sa duket, tendenca për plagjiaturë u përhap “si një virus” tek autorët e saj, të cilët ndoqën rrugën e copy-paste. Kuptohet, ata do të duhet t’u paguajnë honorarë krijuesve të rezolutës së cituar kaq shpesh të Parlamentit Evropian”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës ruse. Ky është sulmi i radhës që ambasada e Rusisë në Tiranë i bën Shqipërisë dhe deputetëve të Kuvendit, që kanë hartuar rezolutën për ndërhyrjet e huaja. Më herët, kur kjo rezolutë u diskutua në komisionet parlamentare, ambasada e Rusisë përdori tone kërcënuese për deputetët apo partnerët strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Në 10 tetor të këtij viti, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të ngjashme për ndërhyrjet në fushata elektorale të vendeve të huaja dhe për dezinformimin.

Argumentet në rezolutë

Nismëtari për miratimin e rezolutës për ndërhyrjet e huaja e propozoi kreu i grupit socialist, Taulant Balla. Në rezolutë theksohet se ndërhyrja e huaj në zgjedhje minon të drejtën e shtetasve për të thënë fjalën e tyre në qeverisjen e vendit, direkt ose përmes përfaqësuesve të zgjedhur, siç përcaktohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe se një ndërhyrje e tillë nga shtetet e tjera përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare edhe kur nuk ka përdorim të forcës ushtarake, kërcënim për integritetin territorial ose kërcënim për pavarësinë politike. Financimi i partive politike ka qenë një nga çështjet më të diskutuara dhe për këtë Balla tha se i është kërkuar Komisionit të Reformës Zgjedhore transparencë të financimit të partive politike.

Elisjeda Kiko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/