Lady Gaga ndërpret turin evropian të koncerteve
Lady Gaga ndërpret turin evropian të koncerteve

Ylli amerikan i muzikës pop, Lady Gaga njoftoi ndërprerjen e turit të mbetur evropian për shkak të një dhimbjeje të rëndë, njoftoi sot kompania e saj e menaxhimit.

“Fatkeqësisht, Lady Gaga po vuan nga një dhimbje e rëndë, që nuk i mundëson të këndojë live”, njoftoi kompania ”Live Nation”.

“Ndihem e shkatërruar, nuk di si ta shpjegoj”, tha ndërkohë Lady Gaga në Twitter.

“Ekipi im mjekësor mbështet vendimin që unë të kurohem në shtëpi”, shtoi 31-vjeçarja.

Lady Gaga duhej të këndonte në Britaninë e Madhe, Zvicër, Gjermani, Suedi, Danimarkë dhe Francë, në kuadër të turit botëror “Joanne”.

Edhe shtatorin e kaluar, Lady Gaga iu drejtua spitalit, sërish për dhimbje të rënda dhe anuloi koncertin në Rio de Zhaneiro.

Ajo tha se vuante nga fibromialgia, sëmundje kronike që shkakton dhimbje në të gjithë trupin./atsh