Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe si projektligji për fiskalizimin, u miratua në parim nga komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi projektligjin para deputetëve të komisionit, i cili sjell një sërë risish për bërjen e biznesit në vend dhe avancon proceset operacionale të biznesit dhe administratës tatimore.

Ministrja u shpreh se Fiskalizimi synon reduktimin e informalitetit në ekonomi dhe evazionit fiskal, rritje të transparencës dhe verifikimin në kohë reale të transaksioneve.

“Ky projektligj vjen edhe si një përqasje sistemike ndaj informalitetit në ekonomi dhe tentativave për evazion fiskal. Ministria e Financave dhe Ekonomisë është optimiste se ky projektligj do të sjellë disa efekte pozitive në financat publike shqiptare dhe në funksionimin e biznesit në vend”, u shpreh Denaj.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve fiskalë, zbatimi i plotë i projektit të fiskalizimit do të sigurojë një rritje të të ardhurave nga TVSH me rreth 20-30 % krahasuar me TVSH-në e brendshme që arkëtohet aktualisht. Në terma sasiorë, të ardhurat pritet të rriten rreth 10 miliardë lekë, ose me rreth +0,5 deri 0,6% të PBB-së.

Objektivi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është që, në terma afatmesëm 3-4-vjeçar të implementimit të plotë të projektit të fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH të arrijnë mbi 9,2% e PBB-së.

Ministrja Denaj informoi se procesi i Fiskalizimit do të realizohet në disa faza, ku faza e parë prek transaksionet me para në dorë biznes-konsumator dhe parashikohet të nisë zbatimin në datën 1 korrik 2020.

“Duke qenë se operatorët e përfshirë në këtë fazë do të jenë rreth 80 mijë biznese, të cilët do të kalojnë nga sistemi aktual i kasave, te projekti i Fiskalizimit, u gjykua se një periudhë tranzitore prej 6 muaj do të ishte më se e mjaftueshme për të lehtësuar tranzicionin. Për këtë arsye nga 1 janari 2020 deri në fund qershorit 2020, bizneset do të kenë mundësi të përdorin njërin nga sistemet. Prej datës 1 korrik 2020, të gjithë bizneset detyrimisht duhet të zbatojnë ligjin e Fiskalizimit dhe dispozitat e tij”, sqaroi Denaj.

Faza e dytë e Fiskalizimit prek transaksionet pa para në dorë biznes – qeveri dhe do të fillojë nga data 1 janar 2021.

Faza e tretë prek transaksionet pa para në dorë biznes-biznes dhe do të fillojë të zbatohet nga data 1 korrik 2021, ku monitorimi i pagesave të këtyre transaksioneve do të realizohet nëpërmjet sistemit bankar.

Faza e katërt përfshin ngritjen e regjistrit të aseteve të biznesit dhe do të fillojë zbatimin gjatë vitit 2020.

Gjithashtu, ministrja Denaj paraqiti edhe një sërë elementësh kryesorë dhe risish të projektligjit, si rikonceptim të pajisjeve fiskale, duke kaluar nga pajisjet “hard” në “software”, raportim në kohë reale të transaksioneve të çdo tatimpaguesi nga raportimi ditor, që bëhet aktualisht, raportim në administratën tatimore të të gjithë importeve nëpërmjet faturës, duke mundësuar kështu monitorimin në kohë reale të gjithë zinxhirit të tregtimit të produkteve. /a.gjonaj/ /a.g/