Lindjet në minimumin historik në Shqipëri, më shumë vdekje se lindje
Lindjet në minimumin historik në Shqipëri, më shumë vdekje se lindje

Me lindjet që bien dhe njerëzit që ikin, popullsia e Shqipërisë po vijon tkurrjen në mënyrë dramatike.

Të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë tregojnë se shtesa e popullsisë ishte më e ulëta të paktën në pesë tremujorët e fundit, duke qenë afër zeros.

Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2019 rezulton 5.986, duke shënuar një rënie prej 10,1 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Numri i vdekjeve për tremujorin e pare 2019 rezulton 5.949, duke shënuar një rënie prej 5,7 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018.

Gjatë tremujorit të parë 2019, numri i lindjeve tejkalon me 37 numrin e vdekjeve. Në të njëjtin tremujori të një viti më parë, shtesa e popullsisë ishte rreth 400 persona.

Në tremujorin e parë 2019, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënoi vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 562 numrin e vdekjeve.

Në tremujorin e parë 2019, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në tetë qarqe. Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 191 numrin e lindjeve.

Lindjet

Numri më i madh i lindjeve, për tremujorin e parë 2019 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.985 lindje, të cilat shënojnë rënie me 9,4 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018. Numri më i ulët I lindjeve, për tremujorin e parë 2019 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 97 lindje, duke reflektuar një rënie prej 21,8 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018.

Nga 12 qarqe të vendit, 9 prej tyre pësuan rënie të numrit të lindjeve, në tremujorin e parë 2019, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Rëniet më të mëdha në përqindje të lindjeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan në qarkun e Gjirokastrës me 21,8 % dhe qarkun e Shkodrës me 19,4 %. Një rritje në përqindje të lindjeve u regjistrua në qarqet Dibër me 16,1 %, Korçë me 1,3 % dhe Kukës me 0,4 %.

Vdekjet

Numri më i ulët i vdekjeve për tremujorin e parë 2019 regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 134 vdekje, me një rënie prej  11,3 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018. Numri më i lartë i vdekjeve për tremujorin e parë 2019, regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.423 vdekje, me një rënie prej 4,9 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018.

Nga 12 qarqe të vendit, 11 prej tyre pësuan rënie të numrit të vdekjeve në tremujorin e parë 2019, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë kësaj periudhe e shënojnë qarku i Kukësit, me 11,3 % dhe qarku i Elbasanit, me 10,6 %. Rritje në përqindje të vdekjeve, u regjistrua në qarkun Berat, me 0,3 %./botasot