Liqeni i Dushkut ose siç njihet ndryshe Liqeni i Zambakëve ndodhet në afërsi të fshatit Lenie, në lartësinë 1105 metra mbi nivelin e detit.

Ky liqen është nga më interesantët në zonën e Gramshit. Liqeni i Dushkut përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi 400 metra. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë.

Gjenden edhe lloje të ndryshme peshqish të cilët japin një shfaqje të mrekullueshme teksa shfaqen dhe zhduken përsëri pas zambakëve.

Duket sikur këtë liqen e ruajnë shumë mirë dhe i japin pamje akoma dhe më të bukur pishat të cilat gjenden në një sipërfaqe rreth 12 hektar duke formuar një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor. Ka vlera shkencore gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike e biologjike, didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike.

Periudha e Pranverës dhe e Verës janë më të përshtatshme për të vizituar këtë mrekulli natyrore. z.tosku/ /a.g/