Në kulmin e tensioneve mes mazhorancës dhe presidentit të Republikës, Minisitri i Brendshëm Sandër Lleshaj duket se i ka hedhur më tej “bezinë zjarrit”.

Në një postim në twitter, Lleshaj thotë se ka ardhur koha për të kornizuar me ligj funksionimin e institucionit të Presidentit!

Lleshaj: Prej 20 vjetësh diskutohet dhe harrohet. Por siç po duket deri në dhimbje tanimë, ideja se kreu i shtetit është individ i vetërregullueshëm, ka vdekur! Republika Parlamentare nuk diskutohet, respektohet.

Sipas tij, fakti që Policia e Shtetit duhet të hyjë në historinë e planetit si e para polici në botë që garanton tubimin antiqeveritar të Kreut të Shtetit, flet më shumë se një miliardë fjalë për çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik.

Më 2 mars, presidenti Ilir Meta ka ftuar popullin që ti bashkohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të krijuar atë që ai e ka konsideruar si “Besëlidhja kundër grushtit të shtetit”.

Në një dalje tjetër për mediat, Kreu i Shtetit ka bërë të ditur se aty do të firmosë një dekret të rëndësishëm për çmontimin e këtij grushti shteti.

Ai e konsideroi parlamentin jo legjitim, ndërsa më parë ka bërë të ditur se atë do e shpërndajë populli.

Meta publikoi të tjera prova që sipas tij vërtetojnë tentativën e mazhorancës për grusht shteti.

/Ora News.tv/