Ministri  i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj ndodhet në Bejrut ku mori pjesë në operacionin e shpëtimit të Alvinit nga kamp i Al Hol.

Ministri foli nga Bejruti nga ku u shpreh se, “Alvini është në një mjedis të sigurt në Bejrut për t’u nisur pak më vonë drejt Italisë tek babai i tij”.

I pyetur për takimin që pati me Alvinin, Lleshaj tha se, “pata një kënaqësi dhe emocion të veçantë ta pres Alvinin bashkë me ekipin special të policisë shqiptare dhe me forca të tjera të inteligjencës dhe të agjencive të sigurisë së Libanit në zonën e ndërmjetme midis kufirit të Libanit dhe Sirisë, ku pata mundësi ta takoj bashkë me këta djem të shkëlqyer që na kanë mbështetur. Sigurisht është një fëmijë që vjen nga ferri dhe në një gjendje mjaft të rënduar fizike dhe psikologjike, por gjithsesi është mirë. Arrita të komunikoj me të, flet shqip dhe një lajm i bukur është që flet shqip, ndonëse ka shumë vite që është luhatur mes arabishtes dhe gjuhëve të tjera, por thotë jam shqiptar, është një rast shumë fatlum dhe jemi të lumtur të gjithë që më në fund arritëm të mundësojmë këtë kthim të tij në siguri”.

Ministri i Brendshëm nënvizoi se operacioni për shpëtim e tij ishte mjaft i ndërlikuar dhe u kërkua ndërhyrja e shumë agjencive dhe autoriteteve të huaja.

“Ka qenë fillimisht iniciativa dhe dakordësia e Kryeministrit Conte dhe Kryeministrit Rama të cilët ranë dakord për një përpjekje të përbashkët. Pas kësaj, një ekip i posaçëm i policisë së shtetit është nisur drejt Bejrutit ku në bashkëpunim dhe me forcat e sigurisë libaneze, në bashkëpunim me policinë italiane, me Kryqin e Kuq ndërkombëtar, me Gjysmëhënën e Kuqe, pra ka qenë një kompleks aktorësh të përfshirë në këtë ndërmarrje të vështirë. Duhet të mos bëhej asnjë gabim dhe falë një koordinimi perfekt të gjithë këtyre aktorëve që përmenda, u bë e mundur që sot rreth orës 10 me të Shqipërisë, Alvini të kalonte në zonën e ndërmjetme midis Sirisë dhe Libanit ku u prit nga forcat tona dhe ato libaneze”, – tha ministri Lleshaj.

Ministri tha se ndodhet në Bejrut për të parë edhe mundësinë e realizimit të një operacioni tjetër të gjerë që do mundësojë rikthimin e fëmijëve të tjerë. “Kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë këtu edhe falë mbështetjes së jashtëzakonshme të konsullit tonë të nderit, i cili ka luajtur një rol shumë të madh në këtë operacion. Kemi patur kontakte me autoritetet më të larta, me ministrin e Brendshëm të Libanit, me autoritete të tjera të sigurisë e po shohim mundësinë e ndërtimit të një korridori që të na hapë dritën jeshile edhe për evakuimin e fëmijëve të tjerë. Duhet të kuptohet nga të gjithë që bëhet fjalë për diçka jashtëzakonisht të vështirë. Fëmijët dhe gjithë shqiptarët që ndodhen sot në kamp nuk janë në një kamp pune, por janë në një kamp-burg, pra ka statusin e një burgu dhe ne do përpiqemi të bëjmë çmos për të lehtësuar kalimin, sidomos të fëmijëve që ndodhen në kamp”, – shtoi Lleshaj.

Ai vijon duke thënë se “ne kemi shpresë të gjithë që do të bëjmë më të mirën tonë. Këtu jemi një numër i madh aktorësh që bashkëpunojmë, por kemi një numër akoma më të madh aktorësh që janë përballë të cilët jo detyrimisht bashkëpunojnë, kanë interesa të kundërta nga ato të cilët kemi ne. Na mbetet të vazhdojmë punën për të bashkuar të gjithë elementët e këtij operacioni”. /a.g/