Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar pas arrestimit në Selenicë të një ndër kriminelëve të cilësuar si ndër më të rrezikshmit në vend, i arratisur nga burgu në Itali dhe të dyshuar për vepra të rënda në kundërshti me ligjin.

“Finalizimi i suksesshëm i këtij operacioni provon qartazi nivelin e integritetit dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit, e cila po e rrit përditë forcën e saj goditëse ndaj krimit”, – u shpreh Lleshaj.

Ministri e cilëson këtë si goditjen e radhës së goditjeve kundër krimit, luftë e cila sipas tij është e paepur. “Policia e Shtetit është plotësisht e motivuar dhe mbështetja e bashkëpunimi i qytetarëve për të, në funksion të një Shqipërie me të drejtë dhe më të sigurtë, është në rritje të vazhdueshme”, – nënvizoi ministri i Brendshëm.

Lleshaj në mbyllje të reagimit të tij përgëzon të gjithë anëtarët e Policisë së Shtetit që kontribuuan në këtë sukses dhe thotë se Vlora tani është më e sigurtë. “Vlora duhet të ndihet sot edhe më e qetë dhe më e sigurtë, ndërsa Policia e Shtetit më krenare për operacionin e planifikuar dhe finalizuar me mjeshtëri profesionale”, – përfundoi Lleshaj. /j.p/