Lojtarët shqiptarë që luajnë me skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë, nuk i kalojnë 20 mln eurot në treg. Më parë futbollisti më i shtrenjtë ishte Elseid Hysaj, i cili i afrohej vlerës së 30 mln eurove dhe nga Napoli i ishte vënë një klauzolë lirimi prej 50 mln euro, duke dëshmuar se ishte lojtar shumë i rëndësishëm dhe me peshë. Por ardhja e Ançelotit ka sjellë kalimin e shkodranit në stol dhe në një situatë të pazakontë, duke bërë që t’i bjerë vlera e kartonit të treg. Është “transfermarkt” që u jep vlerën e re futbollistëve, por asnjë i Shqipërisë nuk i kalon tanimë 20 milionë eurot, dhe në këtë kufi ekstrem është padyshim portieri Thomas Strakosha, i cili ka bërë një rritje spektakolare, aq sa Lacio mund ta shesë në fund të edicionit për një shumë gati dyfish nga ajo që e çmon faqja e specializuar e lartpërmendur. Në fakt, në merkaton e verës, janë të shumtë futbollistët shqiptarë që ndërrojnë skuadrat e tyre teksa shumë prej tyre, kanë karton me vlera të konsiderueshme. Ndërkohë, sipas vlerave të publikuara nga “Transfermarkt”, janë plot 17 futbollistë shqiptarë, vlera e të cilëve kap vlerën e 1 milionë eurove ndërkohë që më i shtrenjti mbetet Strakosha, me vlerë 20 milionë euro. Janë 5 futbollistë shqiptarë, vlera e të cilëve është 1 milionë euro ndërkohë që 12 të tjerë e kanë vlerën e kartonit më të lartë. Ajo që bie në sy, është fakti se shumë futbollistë me këtë vlerë kartoni, janë “harruar” nga Kombëtarja dhe nuk ka pasur një grumbullim prej kohësh. Loret Sadiku, Kamer Qaka, Azdren Llullaku, Eros Grezda janë disa nga futbollistët që nuk janë grumbulluar nga Panuçi apo Reja, teksa edhe Xhaka me vlerë 2.5 milionë euro, ishte në listën shtesë në ndeshjet e fundit. Ndërkohë, të shumtë janë futbollistët që janë titullarë me Rejën, por që vlerën e tyre e kanë më pak se 1 milionë euro si Balaj, Cikalleshi, Roshi apo Memushaj e Veseli. Ndërkaq, megjithëse të rinj në moshë dhe të rëndësishëm me skuadrat e tyre, kartoni Ramadanit dhe Latifit nuk i kalon 350 mijë eurot.

Klose: Vija bast që Strakosha s’kishte shans tek Lacio, kam gabuar

Thomas Strakosha është kthyer te Lacio një nga më të rëndësishmit teksa edhe vetë trajneri Simone Inzagi ka krijuar shumë besim te ai. Të shumtë kanë qenë skeptikët karshi tij megjithatë, Strakosha ka ditur të mbyllë gojët e liga me paraqitjet e bëra në portë. Një nga futbollist që ka dyshuar në aftësitë e Strakoshës, është edhe Miroslav Klose. Sulmuesi gjerman ka qenë pjesë e Lacios së bashku me gardianin shqiptar dhe duket se te ai nuk ka pasur kurrë besim, madje ka qenë në gjendje të vërë edhe bast për të. “Kur isha te Lacio, ai ishte portieri i tretë dhe të them të drejtën, do të vija bast gjithçka që ai nuk do të bëhej titullar sepse nuk jepte aspak garanci për portën. Ai është rritur dhe po tregon se duhet t’i jepet hapësirë të rinjve dhe kohë për t’u rritur”, tha Klose.

Kosova 6 mln euro më e shtrenjtë se Shqipëria

Nëse mendojmë se përfaqësuesja kuqezi është më e mirë se e Kosovës gabohemi. Në fakt, si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, patën paraqitje të mirë në fazën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, megjithatë, Shqipëria nuk ka gjasa për kualifikim tutje, ndërsa Kosova është seriozisht në garë për një vend që të çon në eventin më të madh të futbollit kontinental. Paraqitjet e mira të “Dardanëve” kanë bërë që edhe vlera e futbollistëve të tyre të jetë më e lartë se ajo e kuqezinjve. Sipas “Transfermarkt”, futbollistët e së Kosovës kanë vlerë 74 milionë euro. Në anën tjetër ata të Shqipërisë të tubuar për ndeshjet e fundit vlejnë 68 milionë. Kosova do t’i ketë dy ndeshje “jetike” në nëntor ku do të përballet me Çekinë fillimisht më 14 nëntor, e më pas e pret fuqinë botërore, Anglinë në “Fadil Vokrri” më 17 nëntor./Adriatik BALLA