Partia kryesore opozitare në Britaninë e Madhe ka thënë dje se të propozojë një mocion mosbesimi kundër kryeministrit Boris Xhonson me qëllim shmangien e daljes së vendit nga BE pa marrëveshje me unionin. Kreu i laburistëve Xheremi Korbin, tha se nëse qeveria rrëzohet, ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme dhe një tjetër referendum për Brexit. “Mocioni ynë i mosbesimit ka për qëllim ndaljen e qeverisë, që të mos e nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje më 31 tetor. Ne shpresojmë që edhe partitë e tjera të opozitës të na mbështetin”, tha Korbin në një letër drejtuar krerëve të partive opozitare dhe disa deputetëve me influencë të konservatorëve. Ai shtoi se në rast se mocioni votohet në shumicë, do të marrë përsipër qeverinë në rolin e kujdestarit për një kohë të kufizuar. Sipas tij nga vota Jo e britanikëve në vitin 2016, nuk lexohet ndonjë mandat për një dalje pa marrëveshje. “Prandaj planifikoj që të kërkojmë një votë mosbesimi, në momentin që do të jemi të sigurt për një sukses të saj”, shtoi ai. Data e mocionit nuk parashikohet të caktohet përpara 3 shtatorit, kur edhe parlamentarët kthehen nga pushimet e tyre verore.

Mbështetje e kufizuar

Shumica e politikanëve britanikë kërkojnë një dalje me marrëveshje nga BE, por plani i laburistëve është refuzuar fillimisht nga opozitarët liberal-demokratë, forca e tretë politike në vend, të cilët e kanë konsideruar atë absurd. Të Gjelbrit e përshëndetën propozimin, por kërkuan një referendum para zgjedhjeve të reja. Nëse vërtet vota e mosbesimit arrihet në parlament dhe me sukses, atëherë kreu i mandatuar i qeverisë ka dy javë kohë të krijojë një qeveri të re. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë automatikisht kalohet në zgjedhje të parakohshme. Por ato nuk mund të zhvilloheshin dot para datës 31 tetor, që Boris Johnson e parashikon si datë të daljes nga BE edhe pa marrëveshje në rast nevoje. Nga ana tjetër nuk është e sigurt, nëse propozimi i Corbyn arrin të mbledhë përkrahës aq sa duhet. Ndërkohë një ditë më parë, kreu i qeverisë, Johnson, i etiketoi si “kolaboracionistë” deputetët që po tentojnë të bllokojnë daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Ai sërish apeloi për kompromis rreth pikave më të nxehta, përndryshe është i gatshëm pas 3 vjetësh që ta shkëputë vendin nga unioni pa marrëveshje.

Merkel apel për Brexit me marrëveshje

Ndërkohë kancelarja gjermane Angela Merkel nxiti dje negociatorët evropianë të sigurojnë një marrëveshje tregtare dhe lidhje të ngushta me Britaninë para Brexit, qoftë edhe me administratën e Boris Johnson, teksa vetë Gjermania po i afrohet recesionit ekonomik. Merkel përsëriti qëndrimin e saj në një takim me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda, ku të dy theksuan se Brexit me marrëveshje është përfundimi i dëshiruar i negociatave. “Ne sigurisht folën dhe për daljen e Britanisë nga unioni dhe e bëmë të qartë se duam një ndarje që në të njëjtën kohë të sigurojë partneritet të ngushtë mes Britanisë dhe vendeve të BE”, tha ajo. Kryeministri Boris Johnson pritet të takohet me Merkel në ditët në vijim para samitit të G7, kur do të bëjë dhe debutimin e tij të parë në skenën ndërkombëtare në Francë. Në samit do të jenë gjithashtu presidenti në ikje i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker i cili pritet të diskutojë me Johnson. Bisedimet e Brexit janë aktualisht në ngërç kryesisht preç çështjes së vendosjes së kufirit në Iralndë pas ndarjes. Gjermania aktualisht beson se Brexit pa marrëveshje është rezultati më i mundshëm i çështjes dhe gjithsesi ka nisur të marrë masa për çështjen.

Andi Lamko