Zbulohet e shkuara e 53-vjeçarit nga Lushnja, qe u ekstradua te marten nga Italia, pasi ishte dënuar me 7 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese.

Policia tha se i kërkuari është  Arben Biçaku, i cili në vitin 2000, bashkë me kushëririn e tij, Edmir Biçaku, kanë trafikuar për qëllim shfrytëzimi për prostitucion dy vajza të huaja, një moldave dhe një rumune.

Vendimi për deklarimin e tij fajtor, i ka kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit, madje duke u kthyer 12 herë për gjykim, derisa ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese.

Ai pretendonte se vendimi për dënimin e tij ka qenë i paligjshëm, pasi i ishin shkelur të drejtat. Megjithatë, kërkesat e tij janë rrezuar, duke lënë në fuqi vendimin prej 7 vitesh burg ndaj 53-vjeçarit dhe 7 vjet e 6 muaj për të afërmin e tij, Edmir Biçaku.

EKSTRADIMI
Policia e Shtetit njoftoi dje se është kryer ekstradimi nga Milano drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar, Arben Biçaku, 53 vjeç, nga Lushnja. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi me vendimin e datës 10 dhjetor 2013, të Gjykatës së Lushnjës, është dënuar me 7 vjet burg për veprën penale, “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese, kryer në bashkëpunim”.

Sipas Policisë, Arben Biçaku, në bashkëpunim me të afërmin e tij shtetasin, Edmir Biçaku, ka tentuar të trafikojë në Itali me qëllim shfrytëzimin për prostitucion shtetasen rumune me iniciale A.M. dhe shtetasen moldave me iniciale S.R.

Gjatë një kontrolli të ushtruar nga Policia, më datë 6 qershor të vitit 2000, në banesën e shtetasit Edmir Biçaku, janë gjetur shtetaset S.R. dhe A.M., të cilat kanë deklaruar se kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri, pasi i kishte blerë shtetasi Edmir Biçaku, me synim që t’i dërgonte në Itali për prostitucion.

VENDIMI
Në vendimin e datës 19 maj 2016 të Gjykatës Kushtetuese, renditen edhe pretendimet e të ekstraduarit Arben Biçaku, për shkelje të të drejtave të tij. “Kërkuesi Arben Biçaku i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e vendimeve objekt kërkese, me pretendimin e cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor në disa aspekte, duke argumentuar si vijon:

Është cenuar parimi i barazisë së armëve, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë dhe Gjykata e Apelit Vlorë i kanë bazuar vendimet e tyre vetëm në thëniet e dëshmitarëve dhe kërkuesi nuk ka pasur mundësinë për t’u ballafaquar me këto dëshmi.
Ai është deklaruar fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, pasi thëniet e dëshmitareve, të cilat janë shtetase të huaja, janë marrë në kundërshtim me KPP-në. Kontrolli i banesës është bërë pa autorizim dhe pa mbajtur procesverbal nga punonjësit e Policisë.

Është cenuar e drejta e mbrojtjes, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë nuk ka respektuar rregullat për ndryshimin e akuzës dhe njoftimin e akuzës së re të pandehurit në mungesë. Është cenuar parimi i sigurisë juridike, pasi shfuqizimi i vendimit për pushimin e hetimeve është marrë kryesisht nga Prokurori i Përgjithshëm, 3 vjet pas marrjes së vendimit nga Prokuroria e Rrethit Lushnjë”, thuhet në vendim. /Panorama