Mallëngjim

Nga Kastriot Drevishi

U mallëngjeva teksa dëgjova se Autoriteti “për hapjen e dosjeve”, lajmëroi nga Shkodra se ka nisur një verifikim të spiunëve në shërbimin diplomatik. Teksa ish oficerët e Sigurimit të Shtetit (funksionarë legalë dhe jo të fshehtë e të paditur) vegjetojnë suksesshëm të stazhionuar në shërbimin sekret, administratë, polici, shkolla policie, drejtësi, etj, na dilka se e keqja paska qenë e fshehtë dhe diku tjetër. Pra “gjeneralët” le të shijojnë funksionet dhe trajtimin financiar se lufta është kundër “ushtarëve” të tyre, shumica aksidentalë. Për t’i verifikuar këta “gjeneralë” krejt të panevojshëm për shtetin, mjafton dosja e kuadrit e çdo personi atje ku merr rrogën. Për shembull, meqë Autoriteti do e “pastroka” diplomacinë, a e di çfarë shkollimi ka ambasadori ynë në Maqedoni dhe ku ka punuar para vitit 1990?