Manastirliu apel grave të denoncojnë dhunën
Manastirliu apel grave të denoncojnë dhunën

Në kuadër të 16 ditëve të sensibilizimit për dhunën ndaj grave, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu mori pjesë në Konferencën Kombëtare ‘Të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut’, organizuar nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza.

“Sot një grua që denoncon dhunën është shumë më e mbrojtur sepse me ndryshimet ligjore që miratuam në Kuvend, garantojnë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes për gratë viktima të dhunës në 24 orët e para të denoncimit”, u shpreh ministrja Ogerta Manastirliu gjatë fjalës përshëndetëse.

Duke u ndalur te rëndësia e parandalimit të dhunës, Manastirliu tha duhet të jemi të gjithë bashkë për të luftuar këtë fenomen.

“Gratë nuk lindin gra, ato lindin vajza ndaj që në vogëli duhet të punojmë për edukimin e tyre sepse arsimimi por edhe fuqizimi ekonomik i gruas janë elemente thelbësore për të reduktuar këtë fenomen, që për fat të keq, është ende i përhapur në shoqërinë tonë”.

Gjatë fjalës së saj ministrja Manastirliu tha se pas hapjes së qendrës së parë për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale në Shqipëri LILIUM, puna do të vijoj për hapjen e qendrave të tjera LILIUM në të gjithë Shqipërinë.

Në fund të fjalës së saj, Manastirliu tha se në këto 16 ditë të aktivizimit kundër dhunës, por jo vetëm këto ditë, ka vend për më shumë reflektim, në mbrojtje të grave, sepse të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, e si të tilla duhet të respektohen. /atsh