“Një në 7 qytetarë janë identifikuar me probleme të tensionit arterial, një prej shkaktarëve kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare”.

Në Ditën Botërore të Hipertensionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik organizuan Forumin Shkencor: “Kontrolli Mjekësor Bazë, në kuadër të mbulimit shëndetësor universal”, ku u prezantuan gjetjet pas 4 vitesh zbatim të programit kombëtar “Si je?” për grupmoshën 35-70 vjeç.

“Falë programit të kontrollin mjekësor bazë falas, është rritur aksesi i qytetarëve te mjeku i familjes, duke dyfishuar kontaktin me të”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu u shpreh se, ky program i nisur 4 vite më parë, ishte implementimi i vizionit të Qeverisë për të përmirësuar kujdesin parësor me instrumenta real, që ndikojnë në ruajtjen dhe kujdesin për shëndetin e qytetarëve.

Manastirliu nënvizoi se në 4 vite janë më shumë se 90 mijë qytetarë që janë referuar për vizita të specializuara, pas rezultateve që ka prodhuar kontrolli mjekësor bazë.

“Sot pas 4 vitesh, të dhënat tregojnë se 1 në 7 persona ka vlera mbi normat të hipertensionit; 1 në 4 qytetarë rezultojnë me kolesterol të lartë, pra kanë rrezik të lartë për tu prekur nga sëmundjet e zemrës; 1 në 6 raste ka rezultuar me vlera më të larta të glicemisë, që orienton për sëmundje të diabetit; 1 në 30 qytetare ka probleme me konsumin e lartë të alkoolit”, u shpreh Ministrja.

Duke u ndalur tek një prej të dhënave të Kontrollit Mjekësor Bazë, Manastirliu tha: “Kontrolli mjekësor bazë ka zbuluar më shumë se 73 mijë qytetarë në fazën prediabetike. Kapja e hershme e diabetit do të thotë që të kesh mundësi ta parandalosh sëmundjen nëpërmjet sitlit të jetës, dietës të shëndetshme dhe pa patur nevojë për t’u trajtuar me medikamente”.

Sa i përket akuzave që janë hedhur mbi këtë program, ministrja Manastirliu u shpreh se sot, pas 4 vitesh, përgjigjen më të mirë ndaj këtyre akuzave e kanë dhënë mbi 1 milion qytetarë që e kanë kryer kontrollin mjekësor.

“Akuza të pavërteta, të artikuluara nga goja e atyre që kanë dashur të hedhin baltë mbi këtë program kaq të vlefshëm. Ne nuk bëjmë politikë me sëmundjen dhe shëndetin, ne bëjmë politika për shëndetin. Pas 4 vitesh të realizimit të këtij programi, kontrollet që kanë realizuar qytetarët janë përgjigja më e mirë për akuza të pabaza. Shpenzimet për shëndetin nuk janë kosto, janë investime”, tha Manastirliu.

Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit për institucionet e Shëndetësinë.

Shefi i shërbimit të sëmundjeve interne, prof. Mihal Tase u shpreh gjatë fjalës së tij në forum se ky program ka sjellë zbulueshmëri të lartë të rasteve me Hipertension Arterial, gjë e cila nëse mbahet nën kontroll, sjell uljen e sëmundshmërisë kronike.

Ndërsa drejtori i OBSH-së për Shqipërinë, z. Raul Gorzales Montero vlerësoi programin e konsoliduar të Kontrollit Mjekësor Bazë, i cili ka rritur funksionin e kujdesit shëndetësor parësor dhe vetë rolin e mjekut të familjes.
Prej 4 vitesh 385 kabinetet që ofrojnë cilësi të lartë shërbimi kanë forcuar rolin e mjekut dhe infermierit tek qytetari dhe kanë rritur profesionalizmin brenda strukturave të kujdesit parësor.

Rezultatet që kanë prodhuar të dhënat nga kontrolli mjekësor bazë tregojnë se kemi një rriskë të lartë për sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, etj. Gjatë këtyre viteve Kontrollin Mjekësor Bazë e kanë kryer mbi 1 milion qytetarë nga veriu në jug të vendit.