Zv. Presidenti i forumit Republikan jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mark Crawford u shpreh ditën e djeshme se Shqipëria nuk duhet të presë ndihmë nga ndërkombëtarët për të zgjidhur ngërçin politik. Gjatë një interviste televizive, ai foli për ambasadoren e re amerikane që do të vijë së shpejti në Tiranë Yuri Kim. Crawford tha se prezenca e saj në Shqipëri pritet të sjellë ndryshime në aspektin politik duke nxitur më tej punën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

“Ishte shumë e njohur dhe e lexuar për Shqipërinë pasi e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte këtu. Nuk pres ndonjë habi. Besoj se ajo do sjellë disa ndryshime. Ajo besoj se do të shtyjë dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Shqiptarët duhet të votojnë vetë për Shqipërinë, nuk duhet të presin nga amerikanët, apo të vijë një ambasador gjerman apo japonez për t’ju thënë se çfarë duhet të bëni. Ajo përmendi biznesin. Por kjo vjen vetë. Nëse politika stabilizohet, nëse gjykata është në rregull, biznesi vjen vetë”, u shpreh zv. Presidenti i forumit Republikan jashtë Shteteve të Bashkuara, Mark Crawford.

Ndërsa për sa i përket marrëdhënieve ekonomike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, Crawford theksoi se Shqipëria duhet të përmirësojë standardet që t’i hapë rrugë investitorëve të huaj. “Duhen përmirësuar standardet. Do të bëhet, nuk flitet se për kohë do të bëhet dhe sa mirë do të zbatohet. Ka interes për Shqipërinë që të intensifikohen marrëdhëniet ekonomike. Ne në Shqipëri nuk jemi duke konkurruar me Kinën ose Brazilin, por me fqinjët edhe duhet të jemi konkurrentë në rajon. Amerikanët do të vijnë dhe do investojnë. Nëse nuk investojnë në mënyrë direkt do të investojnë në një mënyrë indirekte, përmes kanadezëve, përmes anglezëve edhe përmes bursës”, u shpreh ditën e djeshme në një intervistë televizive zv. Presidenti i forumit Republikan jashtë Shteteve , Mark Crawford.